Një operacion i zhvilluar nga Policia e Tiranës ka goditur një skemë të dyshuar të shpërndarjes së lëndëve narkotike në kryeqytet, aktivitet që sipas autoriteteve shtrihej edhe pranë disa shkollave të mesme.

Në kuadër të hetimeve janë identifikuar 52 persona, të cilët dyshohet se kishin role të ndryshme në sigurimin dhe shpërndarjen e drogës.

Një prej emrave të përmendur është Ferit Xhani, i cili dyshohet se kishte rolin e furnizuesit. Xhani rezulton person i njohur më herët për autoritetet, për shkak të precedentëve penalë që lidhen me shpërndarjen e lëndëve narkotike dhe plagosjen.

Pjesë e personave të arrestuar është edhe Engrid Hënaj, ish-efektiv policie. Ai ishte larguar më herët nga radhët e Policisë së Shtetit pas një rasti ku ishte arrestuar për vjedhje.

Hetimet kanë zbuluar se aktiviteti i dyshuar nuk kufizohej vetëm në zona të caktuara të Tiranës. Një pjesë e shpërndarjes së narkotikëve dyshohet se zhvillohej në disa prej gjimnazeve të kryeqytetit, ku mes personave që siguronin drogën kishte edhe të mitur.

Në dosje përmenden gjimnazet “Qemal Stafa”, “Sami Frashëri”, “Ismail Qemali” dhe “Çajupi”, si dhe shkolla profesionale Ekonomike.

Sipas të dhënave të deritanishme, persona që vepronin si korrierë dyshohet se shpërndanin lëndët narkotike te nxënës të mitur, ndërsa hetimet synojnë të përcaktojnë rolin konkret të secilit prej personave të identifikuar.