Kryebashkiaku i Lezhë, Pjerin Ndreu, ka reaguar pas tragjedisë së ndodhur në plazhin e Tales, ku humbën jetën dy vajza të mitura.

Përmes një reagimi publik, Ndreu shprehu dhimbjen për humbjen e dy fëmijëve dhe u përcolli ngushëllime familjeve të tyre, duke e cilësuar ngjarjen si një tragjedi të rëndë që ka tronditur komunitetin.

Ai ngriti shqetësimin edhe për sigurinë në plazhet e pamenaxhuara, duke theksuar se këto zona nuk administrohen as nga bashkia dhe as nga subjekte private, çka sipas tij kërkon kujdes maksimal nga pushuesit.

Kryebashkiaku apeloi që familjarët dhe shoqëruesit të tregojnë vëmendje të shtuar ndaj fëmijëve dhe personave që nuk dinë not, sidomos në zona ku mungon infrastruktura e sigurisë.

Ndreu nënvizoi gjithashtu se plazhet e menaxhuara janë të pajisura me sinjalistikë dhe masa sigurie për pushuesit, ndërsa bëri thirrje për më shumë ndërgjegjësim në mënyrë që të shmangen ngjarje të tilla tragjike në të ardhmen.