SPAK ka përmbyllur hetimet për ish-shefin e Policisë Rrugore, Roven Zeka, duke e çuar çështjen për gjykim në Gjykatën e Posaçme.
Së bashku me Zekën, përpara drejtësisë do të dalin edhe dy efektivë të tjerë të policisë, Sokol Novaku dhe Edison Tabaku, të cilët akuzohen për bashkëpjesëmarrje në vepra penale që lidhen me korrupsionin dhe shpërdorimin e detyrës.
Në të njëjtën dosje janë përfshirë edhe shtetasit Ergest Vrioni dhe Bledi Belba, të akuzuar për korrupsion pasiv dhe aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.
Gjykimin e çështjes do ta drejtojë gjyqtarja Irena Gjoka, ndërsa pritet që procesi të nisë në javët e ardhshme.
Hetimet e SPAK zbuluan se të pandehurit kanë qenë të përfshirë në skema korruptive në lidhje me dhënien e favoreve dhe shmangien e procedurave ligjore në këmbim të përfitimeve financiare.
Procesi ndaj tyre do të zhvillohet në kuadër të përpjekjeve për luftimin e korrupsionit në radhët e administratës publike dhe forcave të rendit.