Shqipëria dhe Kosova po shqyrtojnë mundësinë e përfshirjes së Japonisë në projektin e hekurudhës që do të lidhë Durrësin me Prishtinën dhe më pas me Nishin, duke krijuar një korridor të rëndësishëm transporti drejt Europës Qendrore.

Lajmin e bëri të ditur kryeministri Edi Rama përmes një reagimi në rrjetet sociale, ku theksoi rëndësinë ekonomike dhe strategjike të kësaj infrastrukture. Sipas tij, projekti ka edhe një dimension të rëndësishëm sigurie, për shkak të lidhjes me portin e ri të Durrësit dhe mundësisë së përdorimit të tij për veprimtaritë e NATO-s.

Ideja, e diskutuar më herët mes Ramës dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, iu prezantua palës japoneze gjatë takimit të zhvilluar këtë të martë në Kryeministri me një përfaqësi të gjerë të sipërmarrjes japoneze.

Gjatë fjalës së tij, Rama i ftoi përfaqësuesit japonezë të shqyrtojnë mundësinë e investimit dhe bashkëpunimit për realizimin e projektit.

“Së bashku me Kryeministrin e Kosovës kemi biseduar më shumë se një herë se sa mirë do të ishte ta përfshinim Japoninë në projektin e hekurudhës së re nga Durrësi në Prishtinë, e cila më pas kalon nëpër Nish dhe lidhet me Europën Qendrore.

Kjo hekurudhë ka gjithashtu rëndësi shumë, shumë të madhe për NATO-n për shkak të Portit të ri në Durrës, i cili do të ketë edhe një degë të dedikuar 100% për veprimtaritë ushtarake dhe ato të NATO-s.

Ky mund të jetë një investim shumë interesant. Nëse e shqyrtoni projektin, do të na vinte shumë mirë të dëgjonim mendimin tuaj. Së bashku me Qeverinë e Kosovës, jemi gati të punojmë me ju ose me cilindo partner nga Japonia për të parë nëse mund ta realizojmë këtë projekt”, u shpreh Rama.