Në prag të votimit të Reformës Territoriale dhe zgjedhjeve lokale, Sali Berisha mblodhi në seli 15 aleatë të tij për të diskutuar qëndrimin dhe reagimin e opozitës.
Qëllimin e takimit e bëri të qartë që në fjalën hyrëse, duke thënë se kërkonte mendimin e bashkëpunëtorëve për reagimin ndaj mazhorancës, nëse ajo nuk tërhiqet nga projekti për shkrirjen e 15 bashkive.
Sali Berisha: “Është një situatë në të cilën mendova të këshillohem edhe me ju për këtë çështje të rëndësishme.”
Aleatët e Berishës propozuan alternativa të ndryshme, nga protestat kombëtare deri te bojkoti i zgjedhjeve.
Fatmir Mediu: “Ka nevojë për një gjallërim, jo vetëm të ripërtëritjes së PD-së, por edhe të ripërtëritjes së të gjithë koalicionit.”
Tedi Blushi: “Propozimi im është që të thërrasim një protestë kombëtare, që të gjithë shqiptarët të jenë në Tiranë.”
Sali Berisha: “Po, shumë dakord.”
Ndërkohë, kreu i BLD-së, Arjan Starova, propozoi që opozita të mos marrë pjesë në zgjedhje nëse mazhoranca vijon me atë që ai e cilësoi si imponim.
Arjan Starova: “Mendoj që të mos marrim fare pjesë në zgjedhje, nëse këta vazhdojnë me imponim.”
Nard Ndoka ishte kritik ndaj Berishës, edhe pse të dy ranë dakord për të mos braktisur institucionet.
Nard Ndoka: Opozita ka përgjegjësinë politike, duke i thënë padrinos se ne do ta bllokojmë. Kjo nuk është ‘hajde të thërrasim një protestë kot’.”
Sali Berishaan:”Braktisja e institucioneve është në interes të diktaturës.”
Nard Ndoka: “Unë them ta bllokojmë, jo ta braktisim.”
Sali Berisha: “Se si mund të bllokohet me 83 mandate, nuk e di.”
Kritikat dhe kërkesat e aleatëve për një protestë duket se e bënë Berishën të reflektojë dhe të marrë një vendim. Edhe pse nuk ua njoftoi aleatëve gjatë mbledhjes, pak minuta më vonë, gjatë komunikimit të përjavshëm me qytetarët, lideri demokrat njoftoi një protestë kombëtare të enjten, më 8 tetor, në ditën kur pritet të miratohet Reforma Territoriale në Kuvend.
