Autoritetet e Ekuadorit kanë goditur ditën e sotme, 14 nëntor, një grup kriminal me aktivitet trafikun ndërkombëtar të drogës, operacion ky që rezultoi në arrestimin e 12 personave, por dhe të 11 të tjerë në Spanjë, mes tyre dhe shtatë shqiptarë.

Media Cronica, raporton se agjentët kryen tetë bastisje mëngjesin e sotëm në komunat Samborondon, Naranjal dhe Daule, që i përkasin provincës Guayas.

Sipas asaj që raportohet, grupi që kishte dhe degën e saj në Spanjë, shtrinte aktivitetin e saj në vende të Evropës, kryesisht në Spanjë, Belgjikë, Holandë, dhe Afrikës. Vlera e drogës së trafikuar vlerësohet të jetë 300 milionë dollarë.

Hetimet e këtij rasti janë zhvilluar përgjatë tre viteve, ndërsa shtetasit shqiptarë, janë arrestuar në Spanjë.

Organizata përdorte biznese legjitime si fasada për të eksportuar sasi të mëdha droge dhe për të pastruar paratë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan armë, para, pajisje elektronike dhe bizhuteri.