Zbardhet dëshmia e plotë e Majlinda Marës, 41- vjeçares nga fshati Rremull i Burrelit, e cila në 4 nëntor 2026 vendosi të djegë babain e saj 89-vjeçar me 1.5 litra benzinë.
Në dosjen hetimore të siguruar nga gazetari Elton Qyno, tregohet se ky nuk është rasti i vetëm që vajza, ka dashur të vrasë babain e saj përmes zjarrvënies, pasi më parë ka pasur dhe një episod tjetër të mëparshëm por që nuk është denoncuar në policinë e Burrelit.
Ky episod është mbajtur i fshehur nga familjarët dhe vetë i dëmtuari Adem Mara, duke çuar në ripërsëritjen e rastit edhe më rëndë. Shkak i përsëritjes së zjarrvënies është bërë për shkak të grindjeve të vazhdueshme që ka pasur vajza Majlinda Mara me babain e saj, Adem Mara.
Në dëshminë e saj të dhënë në policinë e Burrelit, Majlinda Mara, e cila punon pranë një kopshti, ka treguar se:
“…unë kam dhomën time të gjumit, babai ka dhomën e tij të gjumit dhe vëllai im më bashkëshorten e tij, kanë dhomën e tyre. Rreth një vit më parë unë kam bërë një operacion pranë syrit të majtë pasi më ka pas dalë një puçërr dhe pas operacionit unë kam pasur debate me babain tim Adem Mara, për gjëra koti pasi ai më bërtet mua pa arsye. Rreth një muaj më parë unë kam pas blerë një shishe benzinë 1.5 litra dhe e kam pas fshehur në një vend të në oborrin e banesës. Sot me datë 4 nëntor 2026, rreth orës 06:20 të mëngjesit, unë jam zgjuar nga gjumi, kam marrë një shkrepse me kunja, kam shkuar dhe kam marrë shishen e benzinës, të cilën e kam pas fshehur në oborrin e shtëpisë dhe kam hyrë në dhomën e gjumit të babait tim, Adem Mara, i cili ishte duke fjetur dhe kam hedhur benzin në tapetin e dhomës që ishte i shtruar në mes të dhomës dhe pastaj, kam ndezur një fije shkrepse, të cilën e kisha në xhep dhe i kam vënë flakën…”.
Më tej Majlinda Mara ka treguar se pas zjarrvënies është larguar dhe dalë jashtë për të shkuar në punë por e ka ndaluar policia e Burrelit.
“…kur flaka u përhap në të gjithë dhomën dhe kanë marrë flakë rrobat e krevatit të babait tim, unë kam dalë në korridor dhe babai im filloj duke bërtitur dhe aty ka ardhur bashkëshortja e vëllait, Gëzimit, Servetja, dhe ka nxjerrë nga dhoma babain tim Ademin. Pas pak unë dola nga shtëpia për të shkuar në punë dhe sa kam dalë tek porta ka ardhur policia dhe më kanë shoqëruar në Komisariat…”-ka pohuar ajo në polici.
Lidhur me këtë ngjarje në pyetje është marë dhe kunata e Mjalinda Marës, shtetësja Servete Mara, e cila në policinë e Burrelit ka treguar se:
“…flakët kanë përfshirë orenditë, tapet një krevat tek druri i dëmtuar pjesërisht si dhe shishe benzinë dhe i ka vu flakën vjehrrit tim Adem Mara…”.
Sipas dëshmisë së Servetes, nuk është hera e parë që Majlinda i ka vënë flakën në dhomën e babait të saj, Adem Mara.
