Lulzim Berisha ka dalë sot para togave të zeza të GJKKO-së, pasi një ditë u ekstradua nga Spanja drejt vendit tonë.

Në seancë iu komunikua masa e sigurisë “arrest me burg”, teksa ish-kreu i bandës së Durrësit ka kundërshtuar deklarimet e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Luftar Reçi, i cili e akuzoi si vrasës të Klodian Saliut. Lulzim Berisha deklaroi se nuk e ka takuar asnjëherë Luftar Reçin dhe se nuk e njeh. Ai drejtua togave të zeza duke thënë: “nëse më provoni një kontakt, më dënoni sa të doni”.

“Nuk e njoh fare atë njeri, nuk e kam takuar asnjëherë. Nëse më provoni një kontakt më dënoni sa të doni. Njësoj siç më ra akuza tjetër, njësoj do të bjerë edhe kjo”, tha Lulzim Berisha.

54-vjeçari Lulzim Berisha u ekstradua mbrëmjen e 18 marsit nga Spanja drejt vendit tonë. Ai akuzohet për vrasjen e Klodian Saliut në 2005. Prova kryesore kundër Lulzim Berishës është dëshmia e Luftar Reçit, një i dënuar që ka pranuar të rrëfejë nga burgu pjesëmarrjen në vrasjen e Klodian Saliut.

Luftar Reçi tregon se Lulzim berisha i kishte propozuar një marrëveshje 20 vite më parë që të bënin një shkëmbim të njerëzve për t’u vrarë. Reçi duhej të merrte pjesë në vrasjen e Klodian Saliut, kurse Lul Berisha merrte përsipër të vriste hasmin e tij në Burrel.