Altin Meçaj ka reaguar përmes rrjeteve sociale, ku ka publikuar disa foto nga spitali, në të cilat shfaqet me shenja dhune në trup. Përmes këtij reagimi, ai u ka bërë apel autoriteteve të drejtësisë që të hetojnë dhe të zbardhin plotësisht ngjarjen.

Meçaj ka deklaruar se autor i dhunës ndaj tij dhe babait të tij të moshuar është Fredi Lamaj, efektiv policie. Sipas tij, konflikti ka nisur për shkak të disa mesazheve dhe “pëlqimeve” që ai kishte bërë ndaj motrës së Lamajt në rrjetin social Facebook.

Ngjarja pritet të hetohet nga organet kompetente për të sqaruar rrethanat dhe përgjegjësitë.

“Të nderuar shqiptarë të vendit tim, jam dhunuar në banesën time në mënyrë çnjerëzore, nga njerëz me uniformën e policisë. Kërkoj mbështetjen tuaj. Kërkoj nga policia e shtetit dhe prokuroria të zbardhin ngjarjen dhe çdo person  përfshirë të marrë dënimin e merituar. Unë kërkoj vetëm drejtësi, asgjë më shumë”, shkruan ai.

Ndërkohë në një reagim publik motra e Lamajt ka hedhur poshtë pretendimet e Meçajt duke thënë se vëllai i saj nuk ka lidhje me ngjarjen, ndërsa në lidhje me mesazhet e ka denoncuar 46-vjeçarin për përndjekje.