Një çështje që ka tërhequr vëmendje të madhe në SHBA po vazhdon të trazojë ambientet e JPMorgan Chase, pasi një ish-punonjës ka ngritur akuza të rënda ndaj drejtueses shqiptare të kompanisë, Lorna Hajdini.

Padia është depozituar në Gjykatën Supreme të Nju Jorkut nga 35-vjeçari Chirayu Rana, i cili ka zgjedhur të identifikohet në dokumente me pseudonimin “John Doe”. Ai pretendon se është detyruar të përfshihet në një marrëdhënie seksuale kundër vullnetit të tij, duke akuzuar Hajdinin për manipulim dhe presion psikologjik, ndërsa thotë se kishte frikë se refuzimi mund t’i dëmtonte karrierën në bankë.

Megjithatë, sipas raportimeve të publikuara nga New York Post, gjatë periudhës para ngritjes së padisë, Rana dyshohet se kishte mashtruar kompaninë lidhur me një situatë familjare për të përfituar leje të zgjatur të paguar.

Burimet pretendojnë se ai kishte deklaruar se babai i tij ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa në fakt periudhën e pushimit e kishte përdorur për përgatitjen e dokumentacionit ligjor kundër drejtueses së bankës. Ai kishte marrë disa leje nga puna mes dhjetorit 2024 dhe majit 2025, duke përfituar edhe mundësinë për të punuar në distancë.

Nga ana tjetër, 37-vjeçarja Lorna Hajdini ka hedhur poshtë kategorikisht çdo pretendim ndaj saj. Përmes avokatëve, ajo ka deklaruar se nuk ka pasur asnjëherë sjellje të papërshtatshme me ish-punonjësin dhe mohon të ketë qenë në vendin ku ai pretendon se ka ndodhur incidenti.

“Lorna i mohon plotësisht këto akuza dhe nuk ka qenë kurrë e përfshirë në asnjë situatë të tillë me këtë person,” thuhet në reagimin e ekipit të saj ligjor.

Çështja pritet të vijojë në gjykatë, ndërsa mediat amerikane po e ndjekin nga afër zhvillimin e një skandali që ka krijuar jehonë të madhe në botën financiare të Nju Jorkut.