Këto janë pamjet nga ambientet e brendshme të Gjykatës së Durrësit, ku do të zhvillohet seanca paraprake për Nikoll Radaçin, autorin e tragjedisë me dy viktima dhe një të plagosur.

57-vjeçari është shfaqur brenda kafazit të xhamit, dukshëm i stresuar dhe shpesh duke mbuluar fytyrën e duke kapur kokën me duar. Ndaj tij pritet të caktohet masa e sigurisë arrest me burg, siç është kërkuar dhe nga prokuroria.

Nikoll Radaçi përplasi për vdekje Enean, 12 vjeç dhe Klesin, 9 vjeç, ndërsa la të plagosur rëndë Arbionin, 8 vjeç. Ai ishte duke drejtuar makinën nën efektin e alkolit dhe me shpejtësi skëterë ka marrë para djemtë që po luanin në trotuar, në lagjen e tyre.

Banorët e zonës thonë se Radaçi ishte problematik në qarkullim dhe disa herë më parë qenë ankuar në polici. Ai ishte ndëshkuar nga Policia Rrugore për shkelje të rregullave të qarkullimit. Ngjarja tragjike ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik. Një ditë më parë, edhe në Kuvend u kërkua ashpërsim i masave në Kodin Rrugor për raste të tilla.