Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në forumin “Global Gateway 2023”, i cili po zhvillohet në Bruksel, së bashku me liderë të tjerë nga e gjithë bota.

Forumi do të diskutojë mbi çështjet në lidhje me investimet globale në infrastrukturë, duke përfshirë sfidat me të cilat përballet sektori publik dhe privat, praktikat më të mira dhe mësimet e nxjerra.

Kryeministri Rama e nisi me një batutë fjalën e tij, teksa e krahasoi eventin me një mbledhje të Partisë Komuniste, shaka e cila u mor me sportivitet dhe të qeshura nga salla.

“Nuk më kujtohet hera e fundit kur kam parë një sallë që asnjë karrige nuk ishte bosh. Duket si mbledhja e Partisë Komuniste. (Të gjithë qeshin), por falë Zotit nuk është. Jam i sigurtë që të gjithë këto kanë ardhur me vullnetin e lirë dhe askush nuk është I detyruar, edhe pse BE-ja i detyron njerëzit”  tha Rama.

Strategjia Global Gateway e BE-së lidh vendet dhe rajonet anembanë botës, duke inkurajuar investimet publike dhe private në një rrjet global të transportit dhe zinxhirëve të furnizimit, energjinë e gjelbër, telekomunikacionet moderne, arsimin dhe kërkimin, me theks në zhvillimin e qëndrueshëm dhe në vlerat evropiane, si qeverisja e mirë, transparenca dhe partneriteti i barabartë.