Një delegacion i partisë italiane ‘Fratelli d’Italia’ pritet të mbërrijë nesër në Shqipëri, për të vizituar Qendrën e Paraburgimit të Riatdhesimit (CPR) në Gjadër.

Sipas deputetes Sara Kelany, e cila drejton departamentin për imigracionin në parti, qëllimi i vizitës është verifikimi i funksionimit të këtyre strukturave. “Ne duam që, me fakte, të hedhim poshtë narrativën e shtrembëruar se këto qendra nuk funksionojnë ose janë një humbje. Ky projekt po funksionon dhe përfaqëson një model për Europën”, u shpreh Kelany.

Delegacioni përbëhet nga një grup i gjerë përfaqësuesish të lartë të partisë, përfshirë drejtues të Dhomës së Deputetëve dhe Senatit italian, si Galeazzo Bignami dhe Lucio Malan, si dhe figura të tjera drejtuese si Giovanni Donzelli dhe Marco Lisei.

Vizita vjen në kuadër të interesit të shtuar politik në Itali për marrëveshjet dhe modelet e menaxhimit të migracionit, ndërsa qendrat si ajo në Gjadër janë kthyer në pjesë të debatit më të gjerë europian mbi politikat e riatdhesimit dhe azilit.