Detaje të reja janë bërë publike nga dëshmia e 18-vjeçarit Genti Nela, i cili pretendon se është dhunuar nga katër persona në ambientet e hotelit “Flar”, në zonën e Malit të Robit në Golem.
Sipas deklarimeve të tij, Nela kishte nisur punë si banakier në hotel më 10 korrik, ndërsa për punësimin kishte komunikuar me Florian dhe Arbër Habilajn.
18-vjeçari pretendon se situata ka nisur të përshkallëzohet më 27 gusht, kur ai ka kërkuar pagën dhe ka bërë me dije se do të largohej nga puna, pasi kishte gjetur një tjetër vend punësimi.
Në atë moment, sipas dëshmisë së tij, në ambientet e hotelit ndodheshin Florian dhe Arbër Habilaj, Enold Dragoti dhe Mariglen Mosha. Nela pretendon se pas kërkesës për pagën është fyer dhe më pas është sulmuar fizikisht.
Sipas tij, Florian Habilaj e ka goditur fillimisht me grusht, ndërsa Arbër Habilaj dyshohet se e ka goditur me një tavëll qelqi në kokë dhe fytyrë. 18-vjeçari pretendon se është goditur edhe nga Enold Dragoti, ndërsa Mariglen Mosha e ka mbajtur dhe i ka penguar largimin.
“Floriani më ka goditur i pari me grusht, ndërsa Arbëri më ka goditur me një tavëll qelqi në kokë dhe në fytyrë. Jam goditur edhe nga Enold Dragoti, ndërsa Mariglen Mosha më ka mbajtur dhe më ka penguar të largohesha.”-tha ai.
Nela deklaron se katër personat i kanë bllokuar rrugën dhe kanë vijuar ta godasin, ndërsa gjatë konfliktit, sipas tij, është kërcënuar edhe me vdekje.
Në përpjekje për t’u mbrojtur dhe për të krijuar mundësi për t’u larguar, 18-vjeçari thotë se ka marrë një gotë qelqi dhe ka goditur Florianin në kokë. Më pas, sipas dëshmisë, ka përdorur edhe grushte për të shpëtuar nga përplasja.
Ai pretendon se ka mundur të largohet me vrap, por katër personat e kanë ndjekur dhe i kanë bllokuar sërish rrugën.
“Pas kësaj kam arritur të largohem me vrap, por jam ndjekur nga të katër personat, të cilët më kanë bllokuar përsëri rrugën dhe më kanë goditur sërish”, ka deklaruar Nela.
