Paulin Harusha nuk i kishte borxh askujt, dhe po “shikonte punën e tij”, ku u ndalua dhe qëllua papritmas dy ditë më parë në zonën e Thethit.
23-vjeçari u plagos në këmbë nga dy vëllezër, të cilët kishin ngatërruar shënjestër.
Policia ka vënë në pranga si të dyshuar për ngjarjen dy vëllezërit Kujtim dhe Nikolin Koçeku, të cilët në fakt kanë qëlluar gabimisht mbi Harushën, pasi objektivi i tyre ishte një 28-vjeçar, me të cilin kishin pasur konflikte të mëparshme, dhe i kishin kërkuar një shumë prej 600 eurosh.
Policia sqaron se “Nikolin Koçeku i kishte kërkuar 600 euro shtetasit Gj. K., 28 vjeç, banues në Dobraç, Shkodër, me të cilin ka patur konflikt të mëparshëm, dhe ky shtetas ka qenë objektiki, pasi 28-vjeçari qarkullonte me mjet pas automjetit të Harushës në momentin e plagosjes”.
Vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje.
Njoftimi i policisë:
Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur më datë 09.08.2021, ku ka mbetur i plagosur shtetasi P. H., 23 vjeç, banues në Shkodër.Vihet në pranga 38-vjeçari, autor i dyshuar i ngjarjes. Gjithashtu, vihet në pranga edhe vëllai i 38-vjeçarit, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.
Falë veprimeve të shpejta hetimore të kryera nga strukturat hetimore të DVP Shkodër dhe të Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, u bë zbardhja e ngjarjes, identifikimi, kapja dhe ndalimi i shtetasit Kujtim Koçeku, 38 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Vrasja me paramendim“ e mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, pasi më datë 09.08.2021 ka qëlluar me armë zjarri dhe si pasojë ka mbetur i plagosur shtetasi P. H., i cili po udhëtonte me mjetin e tij nga Thethi në drejtim të fshatit Nderlysë.
Gjithashtu u bë ndalimi i shtetasit Nikolin Koçeku, 37 vjeç, vëllai i shtetasit Kujtim Koçeku, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.
Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se shtetasi Nikolin Koçeku i kishte kërkuar 600 euro shtetasit Gj. K., 28 vjeç, banues në Dobraç, Shkodër, me të cilin ka patur konflikt të mëparshëm, dhe ky shtetas ka qenë objekti, pasi 28-vjeçari qarkullonte me mjet pas automjetit të shtetasit P. H., në momentin kur shtetasi P. H. është plagosur me armë zjarri nga shtetasi Kujtim Koçeku.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme. /Gazeta SHQIP