Luana Myrto, përfaqësuese e komunitetit transgjinor në Shqipëri, ka folur sërish për trajtimin e saj nga shoqatat LGBT dhe institucionet përkatëse, duke ngritur akuza serioze për mënyrën se si janë menaxhuar rastet e individëve si ajo gjatë procesit të kalimit. Ajo ka folur në emisionin “Shqipëria Live” duke reaguar ndaj deklaratave të drejtoreshës së institucionit “Streha”, i cili është një qendër për strehimin e personave të komunitetit LGBTI në Shqipëri.

Sipas drejtoreshës, e cila e ka strehuar Luanën, ishte nëna e saj ajo që e ka dorëzuar në institucion, duke sqaruar gjithashtu se “Streha” nuk ka dhënë hormone femërore, pasi është e lidhur me shërbimet publike shëndetësore të shtetit.

Në përgjigje të këtyre deklaratave, Luana Myrto ka theksuar se nuk ka nënshkruar asnjë dokument për trajtimin e saj, dhe se vetëm nëna e saj ka firmosur. Ajo ka folur gjithashtu për dhunën dhe kërcënimet që ka përjetuar gjatë gjithë kësaj periudhe, duke thënë se është akuzuar për të mos shkuar në prokurori, ndërkohë që përjetoi një situatë të dhimbshme, kur i u thye nofulla dhe shërbimi shëndetësor nuk ndërhyri në mënyrën e duhur.

“Unë nuk kam firmosur asnjë dokument, vetëm nëna ime ka firmosur. Ka kaluar shumë kohë dhe jam marrë me traumat që më kanë shkaktuar këto institucione. Kam marrë kërcënime gjatë gjithë këtyre ditëve, nuk kam mashtruar, me e-maile nga ata. Më akuzojnë pse nuk kam shkuar në prokurori, por nuk kam pasur mundësi, sepse më është thyer nofulla dhe ata e përdorën këtë për media dhe nuk bënë asgjë. Më thanë se ‘do t’ju japim ndihmë’, erdhën në spital, paguan një shifër qesharake dhe dërguan një polic për të parë nëse do të bëja operacion plastik. Unë u luta që të paguanin operacionin, por ata thoshin se nga tre organizata do të jepnin vetëm 50 mijë lekë. Nuk e kuptoj se me çfarë fytyre dalin dhe hedhin akuza, duke hequr vëmendjen e shqiptarëve nga problemet e vërteta të tyre. Më kanë thënë që Akil Pano më ka paguar, por ne i kemi llogaritë bankare. Do thonë ‘hajde shkojmë në gjykatë’, unë jam pa qira. Më erdhi mesazhi për shkak të deklaratave që kam bërë, shfaqen këto gjëra që nuk i mbaja më.”, tha Luana.