Frederik Shkambi, 27 vjeç, dhe Mikel Gjoni, 34 vjeç, janë dy autorët e grabitjes që u raportua këtë të premte në Shkodër. Në bashkëpunim me njëri tjetrin, dy të rinjtë grabitën një shumë prej 100 mijë eurosh në banesën e mjekes Zhaneta Doçi.

Dy autorët janë shpallur në kërkim nga Policia dhe akuzohen për veprën penale “Vjedhja” me pasoja të rënda, kryer në bashkëpunim. Ndërkohë nga kontrollet e ushtruara nga Policia janë gjetur dhe sekuestruar 3 maska, 1 kapuç, 5 celurarë dhe 5 palë targa.

Njoftimi i policisë:

Të kërkuarit janë F. Sh., 27 vjeç, banues në Shkodër, për veprën penale “vjedhja” me pasoja të rënda, kryer në bashkëpunim dhe M. Gj., 34 vjeç, banues në Shkodër, për veprën penale “vjedhja” me pasoja të rënda, kryer në bashkëpunim dhe “prodhimi dhe shitja e narkotikëve.

Gjatë kontrollit në banesën e 27-vjeçarit, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar 3 maska, 1 kapuç, 5 celularë, 5 palë targa dhe sende të tjera të kundërligjshme, ndërsa gjatë kontrollit në banesën e 34-vjeçarit kanë gjetur dhe sekuestruar një sasi lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa. Materialet e dosjes penale i kaluan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme.