Avokati Spartak Ngjela ishte i ftuar sot në emisionin “Breaking” në Top News, ku ka folur në lidhje me protestën kombëtare që zhvillohet tahsmë prej disa ditësh në vend. Duke u ndaluar tek një nga kërkesat e protestës, që është ajo e dorëheqjes së kryeministrit Edi Rama, avokati u shpreh se duke qenë se protestuesit janë të shumë në numër, Rama nuk do largohet nga posti i kryeministrit. Sipas tij, dorëheqja do i vështirësonte jetën.
“Me kaq sa janë këta nuk e jep dorëheqjen Edi Rama. Nëse do e jepte, do e kishte shumë të vështirë jetën e vet. Dorëheqja shpesh herë është në favor. Kur je në një situatë vështirë, jep dorëheqjen për tu rikthyer. Në protestë është rinia universitare që me Ramën nuk ndjen perspektivë. Ata që kanë ikur andej, thonë që nuk rrihet andej. Shumica janë të pakënaqur. Studentët, të rinjtë e kanë ndjerë më shumë goditjen e keqqeverisjes. Rama duhet të japë dorëheqjen nga politika e lartë, sepse nëse e largon masa e madhe me dhunë nuk rikthehet dot. Po e dha dorëheqjen, mund të rikthehet. Por nëse ikën Rama, nuk ikën PS. Do zgjedhin një tjetër lider brenda partisë. Por Rama nuk është nga ata që dorëhiqet. Këtu flitet çfarë do ndodhë brenda PS. A do dorëhiqet Rama si kryeministër dhe më pas kë do zgjedhë PS për kryeministër. Ky është test për Partinë Socialiste por besoj e kalon sepse ajo i ka votat. Shqiptarët, shumica, janë shoqëri e majtë. Nëse vendi shkon në zgjedhje të parakohshme, fiton sërish PS. Por tani, këta i mban në pushtet ‘non-grata’ e Berishës. Ke parë ndonjë gënjeshtar më të madh se Sali për veten e tij? ‘Non-grata’ nuk hiqet. Ai ka marrë leje vetëm për një herë. Do shkojë e do kthehet. Ka një çështje të njohur për të cilën shkon dhe kthehet. ‘Non-grata’ është ligj në Amerikë. E heq Parlamenti jo kryeministri.”– tha Ngjela.
