Kryetari i PD-së, Sali Berisha i është rikthyer sërish sulmeve ndaj ish-bashkëpunëtorit dhe ish-ministrit të tij të Drejtësisë, Ilir Rusmali, sot këshilltar i Presidentit Bajram Begaj.
Duke folur në një konferencë për shtyp, Berisha tha se e ka shkarkuar Rusmalin në vitin 2006 pas përfshirjes së vëllait të tij në një aferë korruptive për një tender në Drejtorinë e Burgjeve.
“Ilir Rusmali është shkarkuar nga Sali Berisha për korrupsion. Ngjarja ka qenë, drejtori i përgjithshëm i burgjeve, Dashamir Maçi, kishte hapur një tender. I vëllai i ministrit i shkon drejtorit dhe i kërkon tenderin. Nuk ishin standardet e Edi Ramës, as të Lubisë, ishin standardet e Sali Berishës.
Ai thotë, ik tani dhe mos u duk këtu se nuk ke punë ti, je vëllai i ministrit, nuk mund të vish këtu për tenderin. I vëllai i ministrit e kërcënon drejtorin e përgjithshëm se do pësosh këtë dhe atë. Mençurisht ai e regjistron. Mençurisht Dashamir Maçi e regjistroi kërcënimin dhe e solli në zyrë tek unë.
Ilir Rusmali, në vend që të kritikonte vëllain dhe të mbante qëndrim ndaj vëllait, në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin, shkarkon drejtorin e përgjithshëm të burgjeve, në një kohë kur nuk ishte nomenklaturë e tij, ishte e kryeministrit ose e këshillit të ministrave. Ministria kishte vetëm propozimin. I them, se më duhej të nisesha jashtë, sapo të kthehem do e trajtoj. Vij unë këtu, ky kishte bërë shkarkimin.
Në qoftë se ishte për të qëndruar ndaj korrupsionit, ministri duhej të lavdëronte drejtorin për qëndrimin që mbajti ndaj vëllait të tij, që i tha jo nuk ke punë ti këtu me tenderin. Por ministri mbajti anën e vëllait, çka do të thotë se mund të kishte interesa, dhe shkarkoi drejtorin. Dhe unë shkarkova ministrin. Absolutisht. I thashë, me këtë që ke bërë, duhet të largohesh.
Do bëhej largimi, shkoi në zyrë dhe solli një shkresë dorëheqje dhe kjo është gjithë puna. Por historia është kjo. Po ta lëmë këtë histori.
Ky, personi që i referohet Edi Rama, e di si është ky? Ky është këshilltar i presidentit, të cilin ligji nuk e lejon të kryejë asnjë detyrë tjetër, shkon dhe merr detyrën e kryetarit të KAS-it, një pagesë tjetër si shërbëtor i Edi Ramës. Ja, ky është juristi, ky është stafi. Po këta janë njëlloj të gjithë. Prandaj gjejnë njëri-tjetrin.
Ata duhet të respektojnë Kushtetutën, sepse avoketërit e Erion Veliajt, me sa di unë, dekretin e Bajram Begajt e kanë çuar në Gjykatë Kushtetuese përsëri. Është një e drejtë e tyre. Dhe sigurisht çdo jurist nuk mund të bëhen as Rusmalë, as Bajram, as Edi Ramë, duhet t’i qëndrojnë ligjit. Ligji kërkon që të pritet vendimi i gjykatës. Kjo është e gjitha.”- tha Berisha.