Prokuroria e Tiranës ka shpallur në kërkim administratorin e biznesit “Buzi Sport”, Oltion Buzi, për fshehje të të ardhurave në vlerë prej 3.7 milionë lekësh.

Pas kontrolleve të kryera me vendim gjykate në 8 pika të lidhura me këtë subjekt, u sekuestruan prova materiale, duke përfshirë njësi kompjuterike, pajisje elektronike dhe 8 milionë lekë në valuta të ndryshme, të pambështetura me dokumentacion ligjor.

Hetimet zbuluan se “Buzi Sport” përdorte një sistem të paautorizuar për lëshimin e faturave tatimore përmes platformës së palicencuar “store.dyqanimen.com”. Ky sistem mundësonte krijimin e faturave të falsifikuara, të cilat nuk përmbushnin kërkesat ligjore dhe shmangnin fiskalizimin.

Gjithashtu, është evidentuar se subjekti manipulonte vlerat e faturave, duke raportuar shifra më të ulëta për qëllime tatimore, duke shmangur kështu pagesën e detyrimeve fiskale.

Biznesi, i njohur për sloganin “Më lirë se kudo”, është tashmë nën hetim të thelluar nga Prokuroria, që synon zbardhjen e plotë të kësaj veprimtarie të paligjshme.