Një 35-vjeçar do të hetohet në gjendje të lirë pasi tentoi të korruptonte efektivët e Rrugores së Durrësit me 2000 lekë që mos t’i vendosnin gjobë.

Shoferi u ndalua nga shërbimet e Policisë në aksin rrugor “Plepa-Romanat”, duke lëvizur kundërvajtje me automjet dhe duke përdorur celularin. Ndër të tjera nga verifikimet e bëra rezultoi se ai nuk ishte i pajisur me siguracion për automjetin.

Njoftimi i policisë

Gjatë patrullimit me objektiv parandalimin e aksidenteve dhe ndëshkimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor, shërbimet e Policisë Rrugore të Durrësit i bënë shenjë ndalimi, drejtuesit të një automjeti që e konstatuan në aksin rrugor “Plepa-Romanat”, duke lëvizur kundërvajtje me automjet dhe duke përdorur celularin. Gjithashtu, nga verifikimet rezultoi se ai nuk ishte i pajisur me siguracion për automjetin.

Gjatë veprimeve të punonjësve të Policisë, drejtuesi i automjetit, për të shmangur masën administrative për këto shkelje, iu ka ofruar atyre, 2000 lekë.

Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast, u kryen veprimet administrative dhe u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin N. P., 35 vjeç, banues në Kamëz, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.