Arta Lika, nëna e një prej nxënësve të plagosur nga sherri i ndodhur në gjimnazin “Ibrahim Rugova” të Kamzës, ka folur sot për gazetaren e “Shqipëria Live”, Semiljana Azizi. Ajo ka treguar se për sherrin e mori vesh nga mësuesja e djalit, e cila i tregoi se djali ishte përfshirë në një sherr dhe ka mbetur i plagosur.
“Mua më njoftoi zysha, më telefonoi dhe tha që çuni ka bërë një ngarkesë. Më tha që është përfshirë në një sherr dhe që është marrë nga ambulanca. Ishte tek ushtaraku, ka qëndruar diku tek 3 orë e 30 minuta. Ka dy plagë, në brinjë dhe në kokë. Djali më tha se kishte hyrë për të ndarë një sherr, ku ishte përfshirë një shok i tij. Ishin përfshirë 3-4 veta.
Djalin e nisa për në shkollë. por nuk dihet si vjen. Më mirë të kisha vdekur, se ta shihja djalin ashtu në spital. Mendoja se e kisha të sigurt në shkollë. Shkolla nuk na ka bërë asnjë njoftim zyrtar, as policia nuk na ka kontaktuar fare. Policia nuk është marrë fare me ne. Fajin e lë tek shkolla, pasi unë e kam nisur djalin për shkollë, jo për ta çuar në spital. Nëse ai është problematik ta përjashtojnë por jo kështu. Djali ka patur disa ngatërresa të vogla më parë por jo të tilla.”– tha ajo.