Rexhep Ademi ka nisur sot një grevë urie para godinës së SPAK, duke kërkuar drejtësi për vrasjet dhe dhunën që i janë bërë anëtarëve të familjes së tij. Ademi, duke mbajtur në duar tre pankarta me emrat e familjarëve të tij të ndjerë, ka deklaruar se do të vazhdojë grevën deri në vdekjen e tij, nëse drejtësia nuk merr veprim.

Në një prononcim të fortë për mediat, Ademi shprehu zemërimin dhe dhimbjen e tij: “I vdekur që i vdekur jam… Nënën ma vranë, dajën ma vranë, pronat i kam vuajtur, shtëpinë duan të ma prishin. Tani, do të bëjmë konflikt dhe ose do hyjmë në burg, ose do vritemi. Më mirë vdes këtu. Do bëj grevë këtu në rrugë, deri në vetëflijim.”

Ademi, i cili ka qenë shumë i tensionuar për ngjarjet që kanë ndodhur, po kërkon që drejtësia të hetojë disa raste të rënda, përfshirë vrasjen e Selman Ismailit dhe tentativën e vrasjes së Sheko Qerim Ademit. Sipas tij, vrasjet dhe tentativat për vrasje të familjarëve të tij janë të lidhura me grabitjen e pronave të tyre nga individë të caktuar. Ademi akuzon se këto vrasje janë ende të papërfunduara në hetime dhe për disa prej tyre, si rasti i familjes Qerim Rifat Ismaili, është përdorur si justifikim një vetëvrasje e dyshimtë.

Ademi kërkon që Prokuroria e Posaçme, e cila është e fundit ku ai ka ende besim, të marrë masa dhe të sigurojë drejtësi për këto krime të pazbardhura. Ai thekson se nuk ka besim më në institucionet e tjera të shtetit dhe se kërkon të drejtën për të parë autorët e këtyre ngjarjeve të përballen me ligjin.