I ftuar në emisionin “Vitality Vibes” me Ilvi Begollin ka qenë doktori i njohur Altin Veshti, i cili ka analizuar me detaje gjithçka rreth kujdesit që ne duhet të kemi për të pasur një zemër të shëndetshme dhe jo vetëm kaq…
Prof. Dr. Altin Veshti një prej emblemave të kardiokirurgjisë në vendin tonë, është një mjek i cili punon në të gjithë botën por zgjedh të qëndrojë në Shqipëri duke dhënë kontributin e tij në fushën e kardiokirurgjisë. Në fillim të intervistës Ilvi e pyeti se si po shkon e gjithë kjo periudhë e transformimit të repartit të ri të kardiokirurgjisë dhe shërbimit të ri në Qendrën Spitalore Universitare. Doktori u përgjigj duke thënë:
Ka qenë shumë impenjative le të themi momenti i transferimit, sepse është gjithmonë një javë që bëhet transferimi, që duhet garantuar gjithmonë prezenca në sallë operacioni dhe reanimacionit dhe që për çdo urgjencë që mund të vinte gjatë kësaj jave që ne u transferuam, gjithmonë të kishte një ekip operator gati. E menaxhuam shumë mirë. Unë them që kanë bërë një punë kolosale si drejtoria e spitalit të QSUT-së me një angazhim maksimal. Unë besoj që realisht është godina më e bukur që ka sot QSUT-ja dhe e bërë në mënyrë perfekte. Unë e kam ndjekur moment për moment duke parë se ku do të jenë dhomat, ekoja, ku do jenë dhomat e pacientëve, oksigjeni, hyrja, daljet, dhomat e mjekëve, konsulta. Çdo gjë e kam ndjekur që në fillim, domethënë që kur ka filluar. Transferimi u bë, le të themi është bërë, jemi në javën e parë. Sapo mbyllëm javën e parë të punës në qendrën e re. Normalisht ky është një normalitet kudo në Europë. Ne na duket një luks. Unë vij pas njëzet vitesh dhe unë në këto kushte jam trajnuar andej dhe kam mësuar dhe tashmë më në fund ia dolëm ja dolëm që të kemi dhe unë mendoj që pak a pak po bëhet e gjithë QSUT-ja me këto kushte. Kanë mbetur dy tre shërbime akoma pa u mbyllur që janë në punë edhe këto. Ne këtë javë bëmë pacientët e parë adult. Unë operova, operova dhe një bebi të vogël këtë javë. Është i pari që u operua katërmbëdhjetë muajsh. Janë operuar nëntëmbëdhjetë pacientë këtë javë dhe një urgjencë, një çarje aorte, e cila shkoi shumë mirë. Një grua e pashë sot në reanimacion dhe java e parë praktikisht është ajo java e kolaudimit, le të themi. Absolutisht, nuk patëm asnjë defekt, pra çdo gjë punimet janë bërë mirë. Gjithmonë është ajo java që shikohet oksigjeni të jetë perfekt, aspirimi tuba të jetë perfekt, krevatët, të gjitha gjërat. Ia dolëm me sukses dhe do vazhdojmë drejt objektivat tanë që është rritja gjithmonë e numrit të operacioneve.
