Deputeti socialist dhe ish-kryebashkiaku i Tepelenës, Tërmet Peçi, u paraqit në SPAK këtë të mërkurë.
Me një çantë në dorë ai është shfaqur para godinës duke komunikuar me punonjësit në hyrje që e kanë orientuar më tej për veprimet e rastit dhe ka hyrë brenda ambienteve të SPAK, ku qëndroi për gati 2 orë.
Pas daljes, Peçi duket se u ngatërrua fillimisht te dera e jashtme e SPAK, duke ironizuar: Pse e paskeni bërë si burg?
Për gazetarët jashtë ambjenteve të Prokurorisë, deputeti socialist nuk dha shumë sqarime, majde teksa u pyet pse hera e dytë në SPAK, u përgjigj po me ironi: “E treta, e katërta…”. Duke lënë të nënkuptohet se do paraqitet sërish në SPAK.
Sakaq, u kujtua nga gazetarët se mos ka lidhje me përplasjen që pati me kryeministrin Rama gjatë mbledhjes së Asamblesë së PS në Gjirokastër, por Peçi sërish ironizoi gazetarin: Po, po Afganistani.
Kjo nuk është hera e parë që Peçi paraqitet në Prokurorinë e Posaçme, megjtihatë ende nuk ka informacione për arsyen e thirrjes së deputetit në organin e lartë të akuzës, por kohët e fundit ai ka qenë në qendër të akuzave nga opozita për shpërdorim detyre, gjatë kohës si kryebashkiak i Tepelenës.
Gjatë mbledhjes së Asamblesë së PS-së në Gjirokastër dy javë më parë, Rama u kap me Peçin duke e akuzuar se po ndërhyn në punët e kreut aktual të bashkisë Tepelenë Gramos Sako, ndërsa nga ana tjetër ka hapur lajme të rreme sikur kreu i bashkisë Gjirokastër Flamur Golemi është infektuar me HIV/AIDS.
