Një kthesë e papritur ka ndodhur në çështjen gjyqësore për shpifje të nisur dy vite më parë nga ish-kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ndaj shtetasit italian Gabriele Tarroni Longinotti.

Pak javë para zgjedhjeve vendore të vitit 2023, ku Veliaj fitoi mandatin e tretë si kryetar bashkie, Longinotti dha dy intervista publike të transmetuara nga emisioni investigativ “Piranjat” në të cilat akuzonte Veliajn për përfshirje në blerjen e një inceneratori të përdorur, i cili sipas tij ishte marrë nga një kompani rumune pasi nuk ishte shitur dot në vende të tjera si Zimbabve. Ai pretendonte se kishte zhvilluar disa takime me Veliajn në Itali dhe në Tiranë.

Por së fundmi, mbrojtja e Veliajt ka paraqitur në Gjykatë një deklaratë noteriale të datës 24 shtator 2025, e nënshkruar në Modena përpara noteres Rosa Chiarini, ku Longinotti tërhiqet nga çdo akuzë dhe pranon se deklarimet e tij ishin të pavërteta dhe të nxitura nga premtime për përfitime financiare.