Deputetja e Kuvendit të Shqipërisë, Marjana Korçeku ishte e ftuar sot në “Shqipëria Live”, për herë të parë pas largimit nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste.  Mes të tjerash, deputetja ka komentuar dhe takimin e fundit publik me kryeministrin Edi Rama dhe komentin që duket se nisi “krisjen” mes tyre.

“Si gen-z më pëlqen shumë bluza që ke veshur”- i drejtohej Koçeku Ramës vetëm pak javë para largimit të saj nga PS, gjatë një takimi në Shkodër. Sot, deputetja tha se ky ishte një “mesazh” që tregonte mbështetjen për “revolucionin e flamengove”.

“Komenti si gen-z do të thotë që jam pjesë e gjeneratës Z, brez i cili dhe nisi protestën. Bluza e kryeministrit mbante një flamingo, simboli i protestës, të cilën e kam mbështetur në heshtje para largimit dhe më pas publikisht. Prandaj komenti tregonte që më pëlqente bluza por dhe që mbështesja protestën. Unë protestën e mbështes. Kam vendosur të mbaj një farë distance për të respektuar kauzat e tyre. Do vijoj t’i mbështes në mënyrat që unë kam mundësi, duke folur në mediat ndërkombëtare apo me reagime në rrjetet e mia sociale. Është një revolucion me energji të mirë, po ashtu më bën krenare që brezi im është duke reaguar për këto kauza. Unë nuk e di çfarë partie është ‘Shqipëria e re’, por qëllimi im është në këtë mandat të mbetem deputete e pavarur dhe të përfaqësoj sa më mirë qytetarët. Ramës sigurisht duhet t’i njihen të mira për ato që ka bërë, pavarësisht kritikave. Ramës ia kam thënë ato që kam patur për t’i thënë nëpërmjet reagimeve të mia apo dhe me mesazhet që kemi shkëmbyer.”– tha ajo.