Deputetja e Partisë Socialiste Iris Luarasi ka zbuluar një pjesë të diskutimit të Kryeministrit me Grupin Parlamentar të PS, në ditën kur Rama debatoi edhe me Elisa Spiropalin.
E ftuar mbrëmjen e sotme në Top Story, Luarasi tha se Edi Rama kishte treguar se çdo mëngjes shprehej: “Faleminderit Zot që ekziston PS” duke shtuar se Spiropali së pari duhet t’i diskutonte shqetësimet brenda ‘familjes’, pastaj të bënte statuse publike në Facebook. Deputetja e PS theksoi se Spiropali ka bërë beteja të fuqishme brenda partisë dhe është personalitet i PS.
Luarasi: Unë mendoj që ka edhe një sfidë tjetër në PS që është integrimi. Spiropali ka qenë Ministre e Jashtme. Një pjesë e mirë e punës kur vjen pjesa te integrimi kryhet dhe nga Ministrja e Jashtme. E gjithë politika është propagandë, por në këtë rast besoj që është një dritare oportuniteti në shtëpi. Duhet të bëhen të gjitha detyrat e shtëpisë. Unë mendoj që varianti më i mirë do ishte ta pyesnim vetë Spiropalin pse e bëri këtë. Për mua është ende e paqartë. Jam partizane e gjësë që para se t’i çojmë gjërat në publik, t’i diskutojmë brenda shtëpisë.
Basha: Po ju s’po e lini të flasë.
Luarasi: Ajo është një personalitet e PS. Ka pasur një nga postet më të rëndësishme si kryetare e Kuvendit. Që kritikat e saj të jenë totalisht të mbështetura në fakte dhe në të drejta, duhet të ishin bërë kur ti je në pushtet, sepse kjo e bën kritikën tënde më të besueshme. Kur e humbet pushtetin bëhet më e pabesueshme.
Në diskutimin e tij, Rama tha që në mëngjes kur ngrihem them: “Faleminderit Zot që ekziston PS, dhe kur mbyll sytë them “faleminderit prapë, sepse këtu të gjithë deputetët e PS nuk do të ekzistonin nëse nuk do të ekzistonte PS dhe këtu tha ju fus ju të gjithë dhe veten time”. Nuk po flasim për personalitete të spikatura që bëhen vetë, ka edhe nga ata që bëhen nga investimi i partisë apo kryetari i partisë. Unë mendoj që Spiropali ka bërë beteja të fuqishme politike për PS, por nga ana tjetër po të kandidoja, është tjetër të mbledhësh votat politike në Shqipëri, dhe tjetër të duan njerëzit.
Ti kupton që ti duhet të kesh një mbështetje të fuqishme politike, sepse pa ato struktura, sado karizmatike të jesh, votat nuk janë kaq të thjeshta për t’u marrë. Spiropali është një investim, në PS ka edhe gra të tjera të mençura, por nuk kanë marrë mundësi si Spiropali. Në një garë politike, kur jemi 2 të barabartë dhe kryetari zgjedh një nga të dyja, kjo mbetet për t’u diskutuar, është një zgjedhje subjektive. Nuk i ka diskutuar këto probleme brenda PS. Mendoj që ajo që duhet të bëjë çdo njeri që është në një parti politike është që diskutimi në fillim, para se ta bësh në faqen e FB, duhet ta bësh brenda grupit politik.
