Kleviol Ahmeti, i njohur në rrjetet sociale me pseudonimin ‘Cllevio’, është ekstraduar nga Dubai drejt Shqipërisë.

Ahmeti ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare, pasi ndaj tij ishin lëshuar masa sigurie nga Gjykatat e Tiranës dhe Fierit për vepra penale të ndryshme. Sipas dosjes gjyqësore, në vitin 2024, Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë ka vendosur ndaj tij masën “arrest në burg” për veprën penale “Përndjekja”. Ai akuzohet se ka përndjekur për një periudhë të gjatë kohore, si fizikisht ashtu edhe përmes rrjeteve sociale, shtetasin R. R. dhe familjarë të tij.

Po ashtu, Cllevio ishte dënuar nga Gjykata e Fierit me 9 muaj burg për thyerje të masës së sigurisë “arrest shtëpie”, duke u larguar në mënyrë të paligjshme nga vendi i qëndrimit të detyruar.

Pas lokalizimit të tij në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe në bashkëpunim me Interpolin, autoritetet shqiptare finalizuan ekstradimin e tij drejt vendit, ku do të përballet me drejtësinë për akuzat e ngritura ndaj tij.

Njoftimi:

Ekstradohet nga Dubai në Shqipëri, një 39-vjeçar i kërkuar nga autoritetet në Tiranë dhe në Fier, për përndjekje dhe për thyerje të masës së sigurisë.

Në vijim të bashkëpunimit të Drejtorisë së Interpolit, me zyrën e Interpol Abu Dhabit, me objektiv kapjen dhe ekstradimin e shtetasve në kërkim ndërkombëtar, të cilët synojnë t’i fshihen drejtësisë shqiptare, duke qendruar në Dubai, u lokalizua dhe u kap, në kuadër të operacionit “The Wanted”, shtetasi K. A., 39 vjeç, i lindur në Lushnjë.

Ky shtetas kërkohej ndërkombëtarisht sepse në vitin 2024, Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Përndjekja”, pasi akuzohet se për disa vjet, ka përndjekur fizikisht dhe në rrjete sociale, shtetasin R. R. dhe familjarë të tij.

Gjithashtu, 39-vjeçari është dënuar nga Gjykata e Fierit, në vitin 2024, me 9 muaj burgim, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Top Channel