Dy vëllezër shqiptarë janë vënë në pranga nga autoritetet greke si autorë të dyshuar të shpërthimit me eksploziv në diskotekën “Jacky.O” në Athinë, ngjarje e regjistruar në mbrëmjen e 7 tetorit 2025.

Të arrestuarit janë Blerim Buci, 41 vjeç, dhe Besmir Buci, 32 vjeç, vëllezër me origjinë nga Tirana. Përveç akuzës për vendosje dhe shpërthim eksplozivi, ndaj tyre rëndonin edhe urdhra arresti për shkelje të kushteve kufizuese të qëndrimit, grabitje, si dhe shkelje të legjislacionit për armët.

Sipas hetimeve, Besmir Buci ka qenë personi që ka kryer drejtpërdrejt aktin. Ai zbriti nga automjeti i parkuar pranë diskotekës, iu afrua ndërtesës në këmbë dhe vendosi një pajisje shpërthyese të improvizuar, të cilën e aktivizoi pak më pas. Më pas, ai u kthye me qetësi në automjet, ku e priste i vëllai, Blerim Buci, dhe u larguan nga vendngjarja.

Nga hetimet e mëvonshme rezultoi se automjeti i përdorur gjatë ngjarjes u ishte siguruar nga një bashkëpunëtor i tyre, një shtetas grek 44-vjeçar.

Në dëshminë e dhënë para hetuesve, njëri prej vëllezërve ka deklaruar se ishte punësuar nga një çift, i cili sipas tij kishte konflikte të mëparshme me pronarin e lokalit. “Më dhanë 5 mijë euro për të vendosur bombën,” ka deklaruar ai. Sipas policisë greke, shpërthimi kishte karakter paralajmërues dhe lidhej me kërkesa për përfitime financiare në këmbim të mbrojtjes së paligjshme. Refuzimi i pronarit për t’iu nënshtruar shantazhit dyshohet se çoi në aktin hakmarrës.

Në momentin e arrestimit, Blerim Buci ndodhej në një zonë të thellë dhe të pabanuar, ku tentoi të fshihej. Gjatë ndërhyrjes së policisë, ai ka kundërshtuar arrestimin duke ushtruar rezistencë fizike ndaj efektivëve.

Gjatë kontrolleve, autoritetet sekuestruan një thikë palosëse, tetë telefona celularë, një pajisje telekomandimi me ekran, dy fletore me shënime, veshje të dyshuara si të përdorura gjatë shpërthimit, si dhe automjetin e përdorur për kryerjen e aktit kriminal.