
Kryeministri Edi Rama ka zbuluar një “sekret” të tij gjatë një interviste televizive, ku tregoi se kur ishte në Emiratet e Bashkuara, princi kishte lënë porosi që ai të vaksinohej me vaksinën kineze.
Teksa tha se do ta merrte padyshim vaksinën kineze, Rama zbuloi se vuan nga “astma alergjike” dhe se nëse do infektohej me covid do ishte në rrezik, prandaj u tundua nga oferta.
Kryeministri tha për emisionin “Kjo Javë” se e refuzoi marrjen e vaksinës jashtë radhe, pasi nuk mund të përfitonte për shkak të detyrës.
“Do e bëja patjetër dhe po ju them një sekret të vogël, për kënaqësinë e bisedës. Kur unë isha në Emiratet e Bashkuara, dhe u takova me ministrin e Jashtëm, sepse Princi atë ditë nuk ishte aty, kishte lënë porosi të vëllait, sepse ai është ministër i Jashtëm, i kishte thënë ‘thuaj Edit të bëjë vaksinën’. Dhe ai më tha që vaksina është perfekt. Vaksina kinezë ka një metodologji tjetër, është bërë në rrugën tradicionale, nuk është si rruga inovative e dy vaksinave të tjera. Nga pikëpamja e tundimit, sepse unë kam një problem të kahershëm, që i vogël me astmën alergjike, që në fillim më tregohej nga ata që unë konsultoj, si një rrezik i madh nëse do merrja Covidin, që duhet të ruhesha dhe sigurisht që dëshira dhe tundimi ishin shumë të forta, por unë nuk mund ta bëja dot këtë gjë sepse unë jam Kryeministri i Shqipërisë dhe nuk mund të bëj kurrë gjëra të tilla, duke shfrytëzuar detyrën dhe lidhjet për shkak të detyrës për të patur një privilegj. Nuk e kam thënë, por ne kemi patur probleme në shtëpi me prindërit e Lindës me Covidin dhe nëse do e kisha konceptuar detyrën time si privilegj, patjetër që do isha vaksinuar. Ashtu sikundër që Linda mund të ishte vaksinuar, por askush nuk e ka bërë pikërisht sepse ndryshe i bie të jem njësoj si të tjerët. Por nuk si të tjerët, ndaj po them ‘PO’, do ta kisha bërë me shumë qejf vaksinën kineze por u detyrova të pres momentin kur ta kishin shqiptarët dhe pastaj e bëra vetëm për të thënë që vaksina nuk ka problem. Siç e kanë bërë shumë kolegë në vende të tjera.”, tha Rama./Gazeta SHQIP