Arlind Demushi, 38 vjeçari i cili u arrestua nga policia në Durrës si autori i dyshuar i vrasjes së 40-vjeçarit Hajdar Ismailgeci, ngjarje që ndodhi mbrëmjen e së enjtes në zonën e Babrrusë, në Tiranë.

Në dëshminë e dhënë përpara hetuesve, Demushi ka pranuar autorësinë e krimit dhe ka treguar versionin e tij të asaj që ndodhi. Ai ka deklaruar se viktima, me të cilin kishte një miqësi të vjetër dhe që prej rreth 10 ditësh qëndronte në banesën e tij, e kishte ofenduar rëndë gjatë mbrëmjes fatale.

Sipas Demushit, të dy kishin konsumuar alkool në një lokal dhe gjatë bisedës, Ismailgeci e kishte sharë nga bashkëshortja. Ky moment, sipas tij, çoi në një përplasje verbale që më pas degjeneroi në konflikt fizik, pasi ishin larguar nga lokali dhe po ktheheshin në shtëpi.

“Më shau nga gruaja,” ka thënë Demushi në dëshminë e tij, duke shpjeguar se ishte në atë moment që nuk e përmbajti më veten dhe e goditi me thikë disa herë shokun e tij, duke i shkaktuar plagë të rënda që i morën jetën në vend.

Policia ka sekuestruar edhe një çantë me veshjet që Demushi kishte veshur në momentin e krimit. Materialet i janë referuar Prokurorisë për vijimin e hetimeve, ndërsa autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.