Një shtetas shqiptar është arrestuar paraditen e së mërkurës në aksin rrugor Janinë-Arta, pasi u kap duke drejtuar automjetin me një shpejtësi prej 249 km/orë.

Shpejtësia e lejuar në segmentin ku u konstatua shkelja ishte 100 km/orë. Pas evidentimit të rastit, policia greke ndërhyri menjëherë duke ndaluar drejtuesin e mjetit.

Ndaj shqiptarit janë marrë masa në bazë të nenit 290A të Kodit Penal grek. Automjeti është sekuestruar, ndërsa ndaj tij është vendosur një gjobë prej 2 mijë eurosh, heqja e patentës për një vit dhe 9 pikë penalizuese.

Megjithatë, masat përfundimtare do të përcaktohen nga gjykatësi i Janinës, përpara të cilit shqiptari pritet të dalë për caktimin e masës së sigurisë.

Ai akuzohet për drejtim të rrezikshëm të mjetit dhe vënie në rrezik të jetës së qytetarëve.

Rasti ka tërhequr vëmendjen e mediave greke, në një kohë kur kontrollet në rrugë janë shtuar ndjeshëm përmes kamerave të survejimit të vendosura në autostrada dhe në semaforët e qyteteve, duke çuar në mijëra gjoba të vendosura çdo ditë.