Nga takimet virtuale të viteve të fundit, kjo ishte mundësia e parë pas shumë kohësh për një shtrëngim duarsh, foto e përqafime me shqiptarët në New Jersey të Amerikës. Sali Berisha nuk e pati të lehtë t’i afrohej foltores me organizatorët, të cilët shpesh ftonin të pranishmit të uleshin për të lejuar nisjen e takimit. I thirrur nën moton “Freedom Works”, liria funksionon.
“Diaspora shqiptare në Shtetet e Bashkuara është fati i bardhë, fati i mirë i kombit shqiptar”, tha Beirsha.
Në këto vite izolimi, kryedemokrati tha se kishte gjetur forcë te Abraham Lincoln. “I cili thotë se rëndësi nuk ka sa herë rrëzohesh, por sa herë ngrihesh. Dhe unë vendosa të ringrihem. Ata që na treguan ne barin përfunduan të papunë. Ata që firmosën ndalimin tim sot janë në non grata vetë në vendin e tyre. Ata që përgatitën mashtrimet ndaj meje në Shqipëri sot janë prapa hekurave. Ndërsa unë sot po qëndroj me dy këmbë mbi atë tokë që ata mendonin të ma ndalonin përgjithmonë”.
Berisha kërkoi ndihmën e diasporës për largimin e Edi Ramës nga pushteti. Skeptikëve u tha të merrnin shembullin prej tij. “Në kushtet që është sot Shqipëria, shumëkujt mund t’i duket e vështirë. Ashtu siç dukej e pamundur të arrinim këtë ditë. Absolutisht, ju jap fjalën se do të arrijmë ditën e shpëtimit të Shqipërisë”.
Qëndrimin e tij këto ditë në SHBA tha se do ta shfrytëzonte për të rimëkëmbur marrëdhëniet me autoritetet amerikane. “Zoti e bekoftë, i bekoftë Shtetet e Bashkuara. Zoti e bekoftë Shqipërinë, floririn e saj. Faleminderit”.
