Kostot
Lorina Mixha
Spitalet që i kushtojnë më shtrenjtë buxhetit të shtetit janë ato të cilat kanë më pak pacientë, që kanë më pak shtrime dhe më pak shfrytëzim.
Studimi i fundit i llogaritjes së kostove, realizuar nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, raporton shpenzime të mëdha që paguhen për ditëqëdnrimin e qytetarëve në disa nga spitalet e vendit. Kështu, një spitali i kushton shumë shtrenjtë që një krevat ta mbajë bosh në krahasim në ato qendra spitalore, që kanë shfrytëzim të lartë të tyre. Ndërkohë që në qytetet me spitale, që nuk shfrytëzohen, kemi tkurrje të popullsisë, godinat, mjekët edhe shpenzimet e qendrave shëndetësore rriten nga viti në vit.
Spitalet
Qendra spitalore e Delvinës, e Malësisë së Madhe, spitali i Mallakastrës, i Mirditës, i Pukës, i Tepelenës rezultojnë të kenë kosto nga 79 mijë lekë në 138 mijë lekë për çdo rast të pacientëve që kërkojnë kujdes spitalor.
Po ashtu rezulton që një pjesë e mirë e pacienteve, që paraqiten në maternitet, të shtruar dhe që marrin kujdes spitalor, të mos paguajnë sigurime shëndetësore dhe raporti në skemën e kontributeve shëndetësore të jetë më i lartë i të pasiguruarave se i të siguruarave.
Po ashtu, sipas grafikut që paraqet kostot mesatare për rast në spitalet rajonale, rezulton se në Vlorë, në Korçë, në Dibër, në Shkodër dhe në Kukës të përllogariten kostot më të mëdha.
Sipas ekspertëve, nga 36 mijë lekë në 57 mijë lekë është fatura e shpenzimeve për çdo pacient të paraqitur.
Kostot për një ditëqëdnrim
Për një ditëqëndrim koston më të madhe e ka spitali i Vlorës, me 17 mijë lekë të reja dhe Shkodra me 11 mijë lekë të reja.
Më shumë shpenzime kanë spitalet rajonale dhe më pak ato bashkiake. Kostoja mesatare e një ditëqëndrimi në Delvinë është 56 mijë lekë, ndërkohë që në Malësinë e Madhe kostoja e ditëqëndrimit llogaritet në 136 mijë lekë.
Shërbimi i kirurgjisë ka kosto më të lartë dhe shpenzimet më të mëdha nga shërbimi i patologjisë.
Në spitalin e Shkodrës për një ditëqëndrim në shërbimin e kirurgjisë kostoja shkon 26 mijë lekë për kirurgjinë dhe 7 mijë lekë për patologjinë.
Po ashtu, në spitalin e Beratit, 25 mijë lekë kushton shërbimi i kirurgjisë dhe 20 mijë lekë patologjia. Ndër kirurgjitë më të shtrenjta, përveç këtyre qyteteve, shënohet edhe në spitali i Vlorës dhe i Fierit. Spitali i Mallakastrës dhe i Delvinës, renditen më të kushtueshmit për kirurgji. Ndërkohë që shërbimi i patologjisë kushton më shtrenjtë në Gramsh, në Përmet, në Kolonjë e në Krujë.
Rritjet
Faktorët që kanë ndikuar në rritjet e kostove për rast, sipas Kujdesit Shëndetësor janë: Mungesa e Protokolleve të mjekimit, stadi i avancuar i sëmundjes, koha e paraqitjes në spital të pacienteve. Po ashtu ndikon në kosto, pozicioni gjeografik i popullatës, largësia, klima, demografia e ndryshme e popullsisë sipas zonave. “faktor tjetër është mosha e pacientëve të sëmurë dhe Diagnozat Shoqëruese, mos realizimi i procedurave të tenderimeve të barnave, mungesa e personelit mjekësor të specializuar, mungesa e aparaturave e pajisjeve mjekësore në disa spitale, funksionimi i shërbimit të urgjencës.
2010
Situata e përgjithshme e spitaleve
Sipas ekspertëve të llogaritjes së kostove situata e përgjithshme e spitaleve, ofruesit e shërbimeve paraqitet me financime jo të përshtatshme, borxhe të trashëguara, niveli jo i duhur i menaxhimit. Administrimi i qendrave është çështje e mprehtë, por në situatën e spitaleve ndikon edhe mungesa e fleksibilieteit në organizimin e shërbimeve. Mungesa e paketës së shërbimeve në aparaturë dhe medikamente, pagesat nën dorë, cilësia e shërbimit që lë për të dëshiruar dhe niveli profesional jo i kënaqshëm ndikojnë drejtpërdrejt në situatën e ofruesve të shërbimeve. Sakaq, ISKSH-ja ka shpërndarë udhëzues metodikë nga për mënyrën e llogaritjes së kostove faktike për të gjitha shërbimet e ofruara nga spitalet.