Në Komision e Reformës Territoriale, gjatë një seance dëgjimore me kryetarët e bashkive të qarkut Elbasan, bashkëkryetarët Mazniku nga maxhoranca dhe Boçi nga opozita shpalosën qëndrime të kundërta sa duhet të jetë numri bashkive me këtë reformë të re.
Luçiano Boçi: Kërkesa jonë nuk është kërkesë që kërkon të godasë konsolidimin, sepse ne po themi të shtojmë në mënyrë optimale numrin e bashkive. Nuk ka një kërkesë të kthimit te 373, po 373 janë shumë, por 61 janë shumë pak.
Arbjan Mazniku: Opozita e ka shprehur mendimin e vetë që thotë ne duam më shumë bashki. Maxhoranca ka thënë që ne mendojmë që konsolidimi ka funksionuar dhe do funksionojë. Le të bëjmë hapat e procesit dhe të mbledhim produktin e procesit. Është krejt normale që mazhoranca ka një pozicion konsolidimi, ndërsa opozita zgjerimi.
Me gjithë ngulmimin e anëtarit demokrat në këtë komision Bledion Nallbati, kryebashkiakët e qarkut Elbasan nuk dhanë komente nëse me këtë reformë duhet të kemi një numër më të madh njësish vendore. Por kryetarët socialistë të këtyre bashkive kërkuan të qëndrojë i njëjti numër dhe të kenë më shumë kompteneca dhe autonomi financiare.
Arif Tafani: Në lidhje me decentralizimin po ka shumë gjëra që duhen përmirësuar. Njëra është autonomia financiare dhe i funksioneve të deleguara.
Nuri Belba: A duhet për shembull që po te ligji të përmirësohet edhe pjesa e HEC-eve që kemi në territorin tonë?
Bukurosh Maci: Patjetër që bashkia Peqin ka shumë arsye që duhet të qëndroj bashki.
Florenc Doka: Kemi nevojë për fuqizim financiar e mundësi pagese për punonjësit e rritur cilësinë e atyre punëve që duam të bëjmë.
Në këtë komision dëgjesat vijuan me kryebashkiakët e qarqeve Durrës dhe Kukës./ Top Channel
