Mes qindra qytetarëve të mbledhur këtë të martë para Kryeministrisë në protestën kundër projektit turistik në Zvërnec, vëmendjen e pjesëmarrësve e tërhoqi një protestues i veshur me qeleshe dhe fustanellë, simbol i traditës shqiptare.
I pozicionuar mes aktivistëve dhe mbrojtësve të mjedisit, qytetari u bë një nga figurat më të spikatura të tubimit, teksa protestuesit shprehën kundërshtimin e tyre ndaj investimit të planifikuar në zonën e mbrojtur të Zvërnecit.
Gjatë protestës u mbajtën pankarta dhe u hodhën thirrje kundër projektit, ndërsa pjesëmarrësit kërkuan anulimin e tij dhe mbrojtjen e pasurive natyrore të vendit.
Nuk munguan as mesazhet politike. Pas ftesës së Kryeministrit Edi Rama për dialog me përfaqësues të protestuesve, nga turma u dëgjua slogani: “Pa dorëheqje, s’ka dialog!”, duke treguar refuzimin e një pjese të pjesëmarrësve ndaj propozimit të kreut të qeverisë.
Tubimi vijoi për disa orë para godinës së Kryeministrisë, nën mbikëqyrjen e forcave të policisë dhe në një atmosferë të ngarkuar me mesazhe kundërshtuese ndaj projektit në Zvërnec.
