27-vjeçar Meklajd Meçaj ka dalë sot para gjykatës së Durrësit për të mësuar masën e sigurisë për vrasjen e fqinjit të tij 60-vjeçar, Rrapush Memollës, në Rrogozhinë. Konflikti mes tyre ndodhi pak ditë më parë.

Në seancë, autori tha se është verbuar nga një automjet ndërsa ecte në rrugë dhe ka reaguar i nxehur kundrejt shoferit. Ky i fundit e ka sulmuar i pari me mjet prerës dhe ai i është kundërpërgjigjur.

Meçaj thotë se nuk donte ta vriste dhe mohon të ketë pasur konflikte të mëparshme mes tyre. Organi i akuzës e cilëson të habitshëm faktin që të dy kanë pasur thika me vete, por janë hetimet ato që do të zbardhin çështjen.

“Natën e ngjarjes po lëvizja në këmbë në rrugë dhe papritmas në drejtim timin një automjet që po vinte përballë më lëshoi dritat e gjata në fytyrë duke më verbuar. Unë reagova me gjeste dhe iu drejtova drejtuesit të automjetit i nxehur për gjestin e tij. Ai më sulmoi me një mjet prerës dhe në këto kushte jam përgjigjur me mjetin tim prerës. Ai ka ndërruar jetë, por unë nuk desha ta vrisja. Unë nuk jam vrasës, por isha i detyruar të veproja në këtë mënyrë”, tha autori.

Gjyqtari i seancës vendosi arrest me burg duke konsideruar kërkesën e prokurores së çështjes.