Hetimet për krimin e rëndë të ndodhur në fshatin Vidhisht të Roskovecit vijojnë, ndërsa grupi hetimor pritet të rimarrë në pyetje 24-vjeçaren Rozalinda Plaka, e cila u mbajt peng për disa orë nga ish-partneri i saj, Refit Buzi. Ky i fundit vrau babanë e saj, plagosi rëndë nënën, e cila ndërroi jetë më vonë në spital, dhe në fund kreu vetëvrasje pas afro 10 orësh negociata me Policinë dhe forcat RENEA.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se dëshmia e parë e 24-vjeçares nuk ka ndihmuar në zbardhjen e motiveve që çuan 35-vjeçarin drejt krimit. Sipas të njëjtave burime, menjëherë pasi u lirua nga autori, e reja është fokusuar vetëm në përshkrimin e ngjarjeve që ndodhën brenda banesës në orët e para të mëngjesit të 24 korrikut.
Në dëshminë e saj, Rozalinda Plaka ka deklaruar se ishte në gjumë kur u zgjua nga zhurmat në shtëpi. Ajo ka treguar se pa Refit Buzin në dhomën e saj, të armatosur me një armë gjahu, i cili e detyroi ta ndiqte me makinë. “Më kërcënoi të hipja në makinë dhe të shkoja pas tij”, mësohet të ketë deklaruar ajo para hetuesve.
24-vjeçarja ka rrëfyer gjithashtu se në ato momente nuk ishte në dijeni të asaj që kishte ndodhur me prindërit e saj. Sipas dëshmisë, ajo pa vetëm të atin të shtrirë në kuzhinë, ndërsa nënën nuk arriti ta shihte.
Megjithatë, sa i përket motiveve të mundshme të ngjarjes, përfundimit të marrëdhënies me Refit Buzin, si edhe pretendimeve të këtij të fundit se i kishte dërguar nga Anglia 830 mijë paund për t’ia ruajtur dhe se ato nuk i ishin kthyer, e reja nuk ka dhënë shpjegime. Për këtë arsye, hetuesit pritet ta marrin sërish në pyetje, me synim zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve të krimit.
Ngjarja ndodhi mëngjesin e 24 korrikut në Vidhisht të Roskovecit. Si pasojë e sulmit humbi jetën Kosta Plaka, ndërsa bashkëshortja e tij, Belere Plaka, ndërroi jetë disa orë më vonë si pasojë e plagëve të marra. Pas largimit nga vendngjarja dhe mbajtjes peng të 24-vjeçares, Refit Buzi u vetëvra brenda automjetit të tij, duke refuzuar t’u dorëzohej forcave të Policisë, pavarësisht negociatave që zgjatën rreth 10 orë.
