Një ngjarje e rëndë është shënuar në Sarandë, ku një 15-vjeçare ka tentuar t’i japë fund jetës duke u hedhur nga kati i katërt i banesës së saj. Sipas burimeve policore, shkak i këtij veprimi tronditës dyshohet të ketë qenë bullizimi i vazhdueshëm nga bashkëmoshatarët.

Gazetarja e “Shqipëria Live”, Semiljana Azizi ka zhvilluar një intervistë ekskluzive me babain e të miturës, Arben Cërriku që ka rrëfyer me detaje ngjarjen e rëndë.

“Vajza ka patur shqetësime nga klasa e 9-të, deri tani që është në vitin e parë të gjimnazit. Më ka treguar disa situata të ndryshme me shokët e klasës, si silleshin ata me të. Jam munduar t’i tregoj realiteti ne sotëm, duke ditur që bullizmi nuk mund të zhduket. Unë i jepja lekë në mëngjes që të blinte ushqim në shkollë, por i sillte sërish dhe nuk hante. Ajo vuante shumë brenda vetes, ishte shumë e mbyllur dhe nuk fliste shumë.  

Bashkë kemi patur raport të shkëlqyer, i rrija afër gjithmonë. Ajo kishte diçka dhe nuk më tregonte. I thosha që do i zgjidhim nëse më tregon. Por thoshte përsëri nuk kam gjë. Para dy-tre muajsh, në korridorin e pallatit e pashë që ishte përkulur. I thashë çfarë ke që je përkulur dhe ajo tha ‘Babi më tha djalli hidhu’. E mora në shtëpi dhe atë natë kam qëndruar duke e ruajtur natën nga frika. Kam folur me nënën që dhe ajo të fliste dhe mos i hapej. Ajo më tha nuk kam nerva. Unë me nënën e vajzës jam i divorcuar. Nuk kemi patur konflikte para vajzës. Edhe mësuesit nuk më kanë thënë gjë për bullizmin.”– tha Arben Cërriku.