Në vijim të seancës në Gjykatën Kushtetuese, ish-kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj vijoi mbrojtjen e tij, duek u ndaluar edhe tek këshilltarët bashkiakë, që votuan shkarkimin e tij.
Pasi u pyet se çfarë do ndryshonte nëse do ishte i pranishëm në mbledhjen e këshillit, Veliaj tha se nëse do arrinte të fliste, do ndryshonte vendimin. Ai u shpreh i zhgënjyer me këshilltarët, që sipas tij e kanë tradhtuar.
“Zonja gjykatëse, ju falënderoj për pyetjen. Në 10 vite si kryebashkiak, ka dy mënyra si flitet në këshill: ose kur thërret kryetari, ose kur ka vendime të rëndësishme. Ka edhe një rast të tretë, kur e thërret vetë këshilli por edhe atëherë duhet të thërrasë kryetarin. Unë nuk mora asnjë ftesë nga këshilli, por një njoftim nga sekretari, që nuk është anëtar i zgjedhur i tij.
Kur gjykohet një kryetar bashkie, duhet të ketë një vendim formal të këshillit për ta ftuar atë. Sekretari nuk ka këtë kompetencë. Në fakt, unë e kam parë mbledhjen e këshillit nga televizori i burgut. Dhe po ju them sinqerisht pashë një efikasitet mbresëlënës: tetë vendime administrative brenda tetë orëve pune. Një shpejtësi që s’e kam parë asnjëherë kur kam kërkuar ndihma për qytetarët.
Më është mohuar njoftimi, ftesa dhe e drejta për të qenë aty. A do të kisha ndryshuar mendimin e tyre? Nuk e di, por besoj se fjalët kanë peshë. Ju sot po bëni diferencën, sepse po dëgjoni palët.
Fyerja më e madhe e jetës sime është që më tradhtuan ata që më njihnin. Tirana ka qenë një kantier i madh pune për 10 vite. E vetmja ‘eficiencë’ që pashë tani ishte ajo e padrejtësisë. Nuk e di nëse do t’i shikoja në sy, por po ta bëja, do t’u kujtoja se nesër mund të ishin edhe ata viktima si unë,” përfundoi Veliaj.



