Deputetët e opozitës kanë braktisur seancën e sotme plenare në Kuvend, pas refuzimit nga mazhoranca të kërkesës për ngritjen e dy komisioneve hetimore parlamentare.

Sipas opozitës, largimi i deputetëve nga salla e Kuvendit u bë në shenjë proteste ndaj shkeljes së hapur të Kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit. Në vijim të kësaj proteste, Partia Demokratike ka njoftuar thirrjen e një mbledhjeje të posaçme të grupit parlamentar.

“Të nderuar kolegë, nesër, e premte, datë 31 tetor, ora 12:00, do të zhvillohet mbledhje e posaçme e Grupit Parlamentar të PD lidhur me situatën e krijuar sot në Kuvend me mohimin e të drejtave kushtetuese të opozitës. Lutem të mos ketë asnjë mungesë për shkak të rëndësisë së mbledhjes”, thuhet në mesazhin drejtuar grupit të PD-së.