Dy shoferë shqiptarë të një furgoni që po udhëtonin nga vendi ynë drejt Italisë si destinacion, janë ndaluar në pikën kufitare të Sllovenisë. Gjatë kontrolleve doganore brenda mjetit të shqiptarëve u gjet një valixhe me 5 kallashnikovë, tre prej tyre të tipit  ‘AK-47’ dhe municione që do i trafikonin për grupet kriminale.

Sipas autoriteteve italiane, gjatë kontrollit të dokumenteve, dy shoferët shfaqën sjellje të dyshimta, si nervozizëm dhe tension, çka i shtyu efektivët të kryenin një kontroll më të detajuar të automjetit dhe bagazheve. Operacioni është kryer në Monfalcone të Triestes, nga Guardia di Finanza lokale dhe Policia Ekonomike dhe Financiare (GICO), në pikën kufitare të Sant’Andrea. 

Pas këtij zbulimi, Policia Financiare vazhdoi me një ekzaminim edhe më të plotë të automjetit të ndaluar, duke gjetur dhe pesë karikatorë me një total prej 356 fishekësh. Materiali i identifikuar luftarak u sekuestrua, së bashku me telefonat celularë të përdorur nga dy shoferët e automjetit.

Hetimet po zhvillohen në bashkëpunim me autoritetet shqiptare, të cilat, sipas mediave italiane, kanë arrestuar në zonën e Hanit të Hotit personin e dyshuar si përgjegjës për nisjen e armëve drejt Italisë, por identiteti i tij ende nuk është bërë i ditur.