Personazhe 


Kryebashkiaku: Meritojnë mirënjohje. Punëtorët e varrezave: Do ta trashëgojmë zanatin te fëmijët


Bardha Nergjoni


Varrmihës, një zanat që pakkush do ta zgjidhte edhe sikur të shpërblehej mjaft mirë, pasqyrohet në libra dhe në art që nga lashtësia. Personat që punojnë në varreza, me të vdekurit, bëjnë një punë sa të vështirë aq edhe të dobishme. Shumica prej tyre do të donin që fëmijët e tyre të mësojnë një tjetër zanat apo t’i përkushtohet një sektori tjetër për punësim. Ndërsa dy nga varrmihësit që punojnë në qytetin e Elbasanit, të cilët kanë marrë edhe titullin e mirënjohjes nga pushteti vendor, tregojnë se zanatin e tyre, edhe pse të vështirë do ta lënë trashëgim edhe te fëmijët e tyre.


Dyli dhe Besimi janë varrmihësit e nderuar nga Bashkia e Elbasanit për punën dhe kontributin e tyre në vite duke punuar me thjeshtësi dhe përkushtim.


Dylaver Peqini është 57 vjeç dhe askush nuk do ta besonte që ka filluar të punojë në varreza qysh në moshën 15-vjeçare. Ndërsa Besim Mjekërzaku e ka filluar këtë punë prej 15 vjetësh. Të dy mendojnë ta trashëgojnë zanatin e tyre te fëmijët, edhe pse e konsiderojnë punën më të vështirë në botë.



Një ditë e zakonshme


Dyli është varrmihësi më i vjetër në qytet. Ai ka hapur mbi 3 mijë varre e kushedi sa zhvarrime. Duke qeshur thotë se nuk i ka numëruar, pasi sjell ters. Nëse e kërkon ta takosh duhet të mësosh më parë oraret e varrimeve dhe të shëtisësh parcelat e mëdha me varre në qytet. Pasi ka ardhur në mëngjes dhe ka hapur varret, ai rikthehet për të kryer ritin e varrimit. Të gjithë flasin me shumë mirënjohje për Dylin dhe ai madje të pret me buzëqeshje, ndërsa i thua që arsyeja e vizitës është intervista. Me shumë thjeshtësi dhe përulësi ai rrëfen se kjo punë është shumë e vështirë. “Ndoshta është ndër punët më të vështira që bën njeriu, por duhet t’i bëjmë të gjitha. E kisha një çikë me vështirësi, por duke kaluar koha u ambientova. Kjo punë ka shumë ngarkesë”, thotë varrmihësi. Ai na tregon se vetëm për 20 ditët e parë të muajit, janë regjistruar 45 varrime. “Pjesa më vështirë janë mermerët, kur na duhet t’i thyejmë që të heqim kufomat”, thotë punëtori i varrezave.


Ndërsa e pyet për titullin, Dyli shprehet se i është shumë mirënjohës kryetarit të Bashkisë së Elbasanit. “Kryetari i bashkisë na ka parë dhe na vlerësoi me titullin e mirënjohjes. Populli i Elbasanit na ka vlerësuar dhe na falënderon sa herë që na shikon. S’di kujt t’i jap xhevap më parë. Të gjithë më vlerësojnë”.


Edhe pse kjo punë është edhe më pak e preferuara nga të gjithë, Dyli është i bindur që këtë profesion do t’ia lërë trashëgim fëmijëve. “Këtë profesion do t’ia lë djalit tim. E kam mësuar me këtë punë. Kënaqësia e punës sime është fakti që rrita fëmijë. Familja e ka shumë të vështirë punën time. Në shi, në borë, në akull, ne jemi këtu në shërbim të të vdekurve”.


Dua të falënderoj Z.Sejdiu që më vlerësoi dhe ashtu siç kam punuar, do të vazhdoj të punoj”, thotë Dyli.


14 vjet punë


“Babai im ka qenë varrmihës dhe po kështu gjyshi im. E kemi këtë punë si familje dhe unë mendoj t’ia trashëgoj djalit tim të madh. E kam mësuar me këtë punë dhe nuk ka frikë nga varrezat”, rrëfen Besimi, varrmihësi tjetër. Ndërsa e pyet se cila është pjesa më e vështirë e kësaj pune, na thotë se janë zhvarrimet.


“Të zhvarrosësh kocka është pjesa më e vështirë. Kur është kohë e mirë, nuk mërzitem, por kur është shi, varret mbushen me ujë, atëherë puna bëhet edhe më e vështirë. Kam gati 15 vjet që punoj këtu dhe kjo punë më është bërë rutinë. Ne jemi në gatishmëri të popullit dhe punojmë orar pa orar. Kemi varrosur edhe persona të paidentifikuar, edhe fëmijë që vdesin në maternitet”, tregon Besimi.


Kur e pyesim se përse e zgjodhi këtë zanat na thotë se kjo punë i ka pëlqyer. “Po të përfundoj unë, mund të vazhdojë djali im.


Kjo punë ka shumë vështirësi. Po të dëmtohesh nga eshtrat, merr infeksion dhe mua më ka ndodhur, por sërish do të vazhdoj deri sa të dal në pension”, thotë varrmihësi. Sipas tij ka arritur të punojë për 5 apo 6 varrime tani që popullsia e Elbasanit është rritur. Ndërkohë në muaj arrin deri në 60 varrime dhe ka pasur periudha me më shumë raste vdekjesh.


Ndërsa mbyllim bisedën, dy punonjësit e varrezave na thonë se ishin duke u përgatitur për një ceremoni varrimi. Me kazmat e lopatat marrin dheun dhe mundohen që të mbajnë pastër.


Na përcjellin me buzëqeshje e na thonë: “Do të jemi gjithmonë këtu në shërbim të popullit të Elbasanit, jo në të mirë, por në të keq, atëherë kur të gjithë kanë më shumë nevojë për ta.


 


Dyli – Është varrmihësi më i vjetër në qytet. Ai ka hapur mbi 3 mijë varre e kushedi sa zhvarrime. Duke qeshur thotë se nuk i ka numëruar, pasi sjell ters


Besimi – “Babai im ka qenë varrmihës dhe po kështu gjyshi im. E kemi këtë punë si familje dhe unë mendoj t’ia trashëgoj djalit tim të madh. E kam mësuar me këtë punë dhe nuk ka frikë nga varrezat