Kreu i SPAK, Klodian Braho ka vijuar ditën e sotme raportimin për punën e institucionit hetimor në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale. Gjatë fjalës së tij, Braho deklaroi se nuk ka të dhëna apo raporte ndërkombëtare që tregojnë një rënie të punës së Prokurorisë së Posaçme në luftën kundër korrupsionit.

“Nuk dimë një raport ndërkombëtar që të thotë se puna e SPAK në lidhje me korrupsionin ka rënë. Sa i përket pasurive të zyrtarëve të akuzuar për korrupsion, në çdo rast hetuesit sipas ligjit dhe metodologjisë së miratuar duhet të kërkojnë në çdo hetim pasuritë që vijnë nga produkti, ato që vijnë nga aktiviteti i paligjshëm dhe jo vetëm. Në çdo rast kryhen hetime”, deklaroi Braho.

Ndërkohë, i pyetur nga deputeti Klevis Balliu në lidhje me deklaratat e kryeministrit Edi Rama kundër SPAK, Braho i cilësoi ato pjesë të debatit politik dhe theksoi se institucioni duhet të veprojë vetëm mbi bazën e ligjit.

“Deklaratat politike janë retorikë politike. Më vjen mirë ndonjëherë që SPAK nuk është i pëlqyeshëm nga asnjëri krah, sepse do të thotë se po e bën punën mirë”, u shpreh Braho.