Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me banorët e Zvërnecit, pak para aktivitetit të organizuar në Vlorë me rastin e 35-vjetorit të Partisë Socialiste.

Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët, kreu i qeverisë iu përgjigj shqetësimeve që lidhen me çështjen e pronësisë së tokave në zonë. Rama deklaroi se nuk është takuar asnjëherë me pronarët e tokës në Zvërnec dhe theksoi se bëhet fjalë për pronë private.

Sipas tij, qeveria nuk ka kompetencë të ndërhyjë në çështje që lidhen me pronësinë private, duke nënvizuar se çdo veprim duhet të respektojë kuadrin ligjor në fuqi.

Deklaratat e kryeministrit vijnë në një moment kur projekti i parashikuar për zonën e Zvërnecit ka nxitur debate dhe reagime nga banorë e grupe të interesit.

Rama: Doja që të flisja me ju. Ju më keni dëgjuar. Unë kam dëgjuar plot që flasin në emrin tuaj. Por juve nuk ju kam dëgjuar. Kështu që thashë t’ju dëgjoj për sa kohë jeni aty.

Qytetari: Çështja jonë është ende duke u gjykuar. Ju keni thënë që ajo pronë është e trashëguar dem baba dem. Mua më vrau. Unë tani çfarë të pres nga gjykatësi?! Kam të drejtë apo jo në atë pronë, e vendos gjykata. Unë kam 35 vjet që sorollatem. Luftoi babai im deri sa vdiq dhe këtë plagë ma la mua. U ndjeva vërtet i prekur nga disa deklarata tuaja. Ju keni thënë që kjo tokë është e trashëguar dem baba dem.

Rama: Nuk është e vërtetë. Fjalët kanë peshë të madhe. Unë jam shumë i kujdesshëm me fjalët. Unë kam thënë që prona është e kthyer dem baba dem. Është kthyer shumë vite më parë. Nuk është kthyer nga kjo qeveri, jo nga kjo periudhë e kësaj qeverie. A ka kthime të gabuara dhe të padrejta, me siguri ka plot. Këtë nuk e vendos unë, as qeveria, as hipoteka, asnjë agjenci që merret me pronën. Nuk e vendosin noterët. Këtë e vendos vetëm gjykata.

Ndjesë nëse je ndjerë i lënduar, por s’më ke kuptuar si duhet. Unë nuk përfaqësoj pronarët. Për dijeninë tuaj, unë nuk e kam takuar kurrë asnjë nga pronarët që përfliten. Nuk e kam idenë as çfarë marrëveshje kanë pronarët me investitorët. Kur është folur për Sazanin dhe Zvërnecin, unë e kam thënë që në atë kohë: “Sazani është një çështje e qeverisë shqiptare sa i përket marrëveshjes, ndërsa pjesa përballë Sazanit është një çështje private, pronarësh privatë”. Pronarët privatë merren vesh privatisht. Shqipëria nëse shitet apo jo privatisht, këtë e vendosin pronarët, as qeveritë, as protestuesit. Pjesa tjetër është siç ka vijuar.