Daniel Pepa, i akuzuar për vrasjen e Florian Paluçit, ndodhur një muaj më parë në zonën e Manzës, ka deklaruar se ka qëlluar me armë në kushte vetëmbrojtjeje.
Kjo pasi Paluçi ishte i pari që ka hapur zjarr, duke vrarë shokun e tij, Aranit Kurti.
Sipas gazetarit Elton Qyn,o Pepa ka mbajtur këtë qëndrim gjatë marrjes në pyetje, duke theksuar se, nëse nuk do të kishte vepruar, ai vetë do të kishte humbur jetën, ashtu siç ndodhi me shokun e tij.
Ngjarja ka ndodhur më 22 Tetor 2025, në mesnatë, kur dy grupet e rinjve që ndodheshin në një lokal në zonën e Manzës, u përfshinë në një konflikt për një ekspres të fikur, që pamundësonte shërbimin e kafes. Të dy grupet ishin të armatosur dhe pas një shkëmbimi grushtesh, Florian Paluçi ka qëlluar i pari me pistoletë, duke e vrarë Aranit Kurtin me një plumb që i ka depërtuar trupin pas shpine dhe i ka prekur zemrën.
Pas ngjarjes, Daniel Pepa ka hapur zjarr një herë, duke qëlluar pas shpine Florian Paluçin, i cili ka humbur jetën pas disa lëvizjeve të pavetëdijshme. Pas vrasjes, Pepa dhe disa shokë të tij janë larguar nga vendngjarja dhe janë fshehur për disa ditë, deri sa ai ka vendosur të dorëzohet në Prokurorinë e Durrësit.
Pamjet filmike të regjistruara nga kamerat e sigurisë janë provat kryesore që dokumentojnë të gjithë dinamikën e ngjarjes. Sipas këtyre pamjeve, Paluçi është i pari që ka hapur zjarr, duke qëlluar në tokë dhe më pas duke drejtuar armën drejt Daniel Pepës. Për të mbrojtur veten, Pepa ka hapur zjarr një herë, duke qëlluar pas shpine Paluçin, i cili ka humbur jetën.

