Një i ri shqiptar, 23 vjeç, i arrestuar nga policia italiane nën dyshimin se kishte grabitur partneren e tij – një modele që publikon përmbajtje në platformën OnlyFans – ka paraqitur një version krejt tjetër të ngjarjes para gjykatës në Rimini.
Gjatë seancës për vlerësimin e masës së sigurisë, në Gjykatën e Rimin-it, i riu, i mbrojtur nga avokati Giuliano Renzi, hodhi poshtë akuzën për grabitje. Ai deklaroi se paratë, rreth 8 600 euro, dhe çelësat e makinës së partneres i kishte marrë vetëm për t’i mbajtur në siguri. Sipas tij, banesa e vajzës ndodhej në katin përdhe dhe ishte lënë me dyer të hapura, gjë që e kishte shtyrë të merrte sendet për të shmangur ndonjë vjedhje.
Në dëshminë e tij, 23-vjeçari tregoi se të dy kishin dalë më parë në një bar për të pirë diçka dhe kishin lënë shtëpinë hapur që qentë të mund të dilnin në oborr. Ai tha se situata e pambrojtur e banesës e kishte bërë të mendonte se ishte më mirë t’i merrte paratë dhe çelësat me vete.
I riu pranoi gjithashtu se gjatë mbrëmjes kishin konsumuar alkool dhe mes tyre kishte shpërthyer një debat për shkak të xhelozisë. Sipas tij, gjatë sherrit partnerja i kishte hedhur një koktej në fytyrë. Për të shmangur përshkallëzimin e situatës, ai tha se kishte vendosur të kalonte natën në makinën e saj.
Më pas, sipas versionit të tij, vajza kishte dalë në rrugë me një tapashkruese në dorë, duke goditur xhamin e automjetit dhe duke bërtitur. Zhurma dhe skena e krijuar, pretendon ai, bënë që disa fqinjë të njoftonin policinë.
23-vjeçari shtoi se më pas ishte larguar me ndihmën e një shoku dhe kishte tentuar t’u shmangej policëve, pasi ndaj tij ishte në fuqi një ndalim qëndrimi në qytetin e Riminit.
Gjyqtarja Raffaella Ceccarelli e konsideroi deklarimin e tij të besueshëm, duke marrë parasysh edhe profilin e 28-vjeçares. Sipas informacioneve të autoriteteve, ajo rezulton të ketë pasur lidhje shoqërore me persona me precedentë për narkotikë dhe të jetë përfshirë më herët në konflikte.
Në fund të seancës, gjykata vendosi të konfirmojë arrestimin, por urdhëroi lirimin e të riut nga paraburgimi. Ndaj tij u vendosën disa masa kufizuese: ndalim afrimi ndaj partneres, detyrim për të qëndruar jashtë rajonit, vendosje e byzylykut elektronik dhe konfirmim i ndalimit të qëndrimit në Rimini.
Hetimet për rastin vijojnë, me qëllim sqarimin e plotë të rrethanave dhe të dinamikës së konfliktit mes çiftit.
