Jashtë portave të mbyllura të Katedrales Katolike të Tiranës të shtunën e kaluar, një polic special vrapoi drejt meje me shkopin e ngritur për të më goditur në kokë. Kur bërtita se isha anglez – nuk kishte kohë për shpjegime të gjata – ai u lëkund për një sekondë, pastaj më shtyu nga rruga. Me kamerën në dorë, e ndalova atë dhe kolegët e tij teksa përpiqeshin të rrihnin, përmes kangjellave, një grusht protestuesish adoleshentë që kishin vrapuar përmes reve të dendura të gazit lotsjellës në territorin e Kishës për t’u strehuar. Pak çaste më parë, protestuesit e veshur me të zeza jashtë katedrales kishin hedhur bomba molotov mbi policët, teksa ata përpiqeshin të sulmonin Urën Vodafone për këmbësorët. Pasi policia u tërhoq, për të ndjekur protestues të tjerë, fola me një vajzë adoleshente që qante, e cila ngushëllohej nga një murgeshë me flokë gri poshtë statujës prej bronzi të Nënë Terezës.
“Ata kanë një urrejtje të tillë në sytë e tyre. Ne thjesht po protestojmë për të drejtat tona. Nuk kemi bërë asgjë të gabuar”, tha vajza, duke u dridhur. “E gjitha kjo ndodh sepse qeveria nuk po na dëgjon, nuk po bën asgjë për të na ndihmuar, për të ndihmuar asnjë nga njerëzit e varfër të Shqipërisë, në asnjë mënyrë”, – tha murgesha, dukshëm e tërbuar, me sytë e skuqur nga gazi lotsjellës. Ishte dita e pestë dhe më e dhunshmja deri më tani, e protestave të udhëhequra nga studentët që e kanë zhytur kryeqytetin e Shqipërisë në kaos për më shumë se një javë.
Që nga maji, bulevardi qendror i Tiranës kishte qenë skena e protestave paqësore dhe të gëzueshme të “Revolucionit Flamingo”, të emërtuara sipas shpendit që supozohet se kërcënohet nga projekti i zhvillimit bregdetar të udhëhequr nga Kushner në fshatin jugor të Zvërnecit. Por nëse “Bulevardi Flamingo” i verës ishte një lëvizje proteste që e quajti veten revolucion, ajo që po ndodh tani është një përpjekje revolucioni që e quan veten një lëvizje studentore. Demonstruesit po përpiqen të rrëzojnë qeverinë e Partisë Socialiste të Edi Ramës, e zgjedhur për një mandat të katërt radhazi vetëm vitin e kaluar, me qëllim instalimin e një qeverie teknokratike të përkohshme para zgjedhjeve të reja. Të shtunën, dukej se për disa orë dramatike do të kishin sukses. Mijëra protestues kishin mbushur bulevardin kryesor të Tiranës, duke u ngjitur deri në Kryeministri, selinë e qeverisë së Shqipërisë. Të rinj të maskuar dhe të veshur me të zeza vazhdonin të shtynin përpara me ulërima gëzimi dhe zemërimi kundër topave të ujit dhe mureve mbrojtëse të policisë së trazirave, me brohoritje që dëgjoheshin teksa molotovët me benzinë shpërthenin në flakë kundër kamionëve të blinduar, duke i detyruar ata të tërhiqeshin. Nëse shkaqet themelore – fundi i korrupsionit politik, shpenzime më të mëdha sociale, një sistem politik krejtësisht i ri – janë të njëjta si më parë, atmosfera midis protestuesve është bërë rishtas e ashpër. Ka ikur pakënaqësia e verës me Edi Ramën, e zëvendësuar nga një urrejtje e zjarrtë dhe e thellë.
