“Diella” ministrja e krijuar me inteligjencën artificiale në kabinetin qeveritar të Shqipërisë, vijon të tërheqë vëmendjen e mediave ndërkombëtare.

Këtë herë, është “GB News” që i ka kushtuar një artikull, duke tentuar madje të zbulojë dhe se si ka arhdur ideja për krijimin e saj. Sipas medias britanike, pretendohet se ka një lidhje mes Tony Blair dhe ministres robot të qeverisë Rama.

Në artikull thuhet se Shqipëria “zgjodhi” ministren e saj të parë dixhitale në fillim të shtatorit, duke shtuar se kjo ka lidhje me propozimin e qeverisë britanike për ID-në Dixhitale. Media më tej bën një paralelizëm me faktin që në Britani Tony Blair po nxit vendimin për ID-në Dixhitale si në Mbretërinë e Bashkuar ashtu edhe në Shqipëri.

“Diella është ministrja e shtetit e Shqipërisë për inteligjencën artificiale. Vetë Diella është një inteligjencë artificiale, konkretisht e llojit gjenerues.  Avatari, i cili ishte përshkruar si një grua e veshur me veshje tradicionale shqiptare, u tha deputetëve: ‘Nuk jam këtu për të zëvendësuar njerëzit, por për t’i ndihmuar ata. Është e vërtetë, unë nuk kam shtetësi, por nuk kam as ambicie apo interesa personale’“, vijon media britanike.

Më tej në artikull bëhet një krahasim mes kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe Tony Blair.

“Kryeministri i Shqipërisë është Edi Rama, i cili aktualisht po shërben mandatin e tij të katërt, por ndryshe nga socialistët e Mbretërisë së Bashkuar, Rama është një fans i madh i Tony Blair. Ndërsa Rama udhëheq Partinë Socialiste të Shqipërisë, ai është i frymëzuar nga politika e ‘rrugës së tretë’ të Blair-it. Me fjalë të tjera, ashtu si vetë Blair, ai e ka çuar një parti tradicionalisht të krahut të majtë në një drejtim të qartë qendror.

Krahas ID-së Dixhitale, inteligjenca artificiale është një interes kyç i Institutit Tony Blair (TBI). Ne e dimë që Blair dhe TBI po shtyjnë përpara ID-në Dixhitale në Mbretërinë e Bashkuar; a do ta inkurajojnë ata gjithashtu përdorimin e ministrave të IA-së?

Do të na pëlqente të thoshim se ministrat e inteligjencës artificiale nuk mund të jenë shumë më keq se grupi që kemi, por nëse ka një gjë që na ka mësuar shekulli i 21-të, është se gjërat gjithmonë mund të përkeqësohen”, përfundon artikulli.